Transmetuar më 29-09-2026, 09:40

ROMANO DI LOMBARDIA — Një 30-vjeçar me origjinë shqiptare ka shkaktuar panik mes kalimtarëve dhe nxënësve të shkollave në qendër të qytetit Romano di Lombardia në Itali, teksa lëvizte i armatosur me një thikë dhe dy çekiçë të vjedhur.

Ngjarja ka ndodhur pranë një stacioni autobusi ku po prisnin nxënës të shkollave të mesme. Qytetarët e alarmuar njoftuan menjëherë qendrën operative të policisë bashkiake mbi praninë e një personi në gjendje të rënduar psikofizike, të dyshuar nën efektin e lëndëve narkotike, i cili po kërcënonte kalimtarët me një thikë me teh të palosshëm.

Shërbimet e policisë, nën drejtimin e komandantit Arcangelo Di Nardo, arritën të identifikonin 30-vjeçarin e njohur më parë nga forcat e rendit përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendngjarjes. Pas kërkimeve në territor, efektivët e lokalizuan atë në sheshin "Papa Giovanni XXIII", ku mbante në secilën dorë nga një çekiç të madh.

Policia arriti t’i konfiskonte çekiçët dhe gjatë kontrollit fizik i gjeti një thikë me teh 8 centimetra si dhe një sasi prej rreth një grami lëndë narkotike të llojit kokainë.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se dy çekiçët ishin vjedhur po atë mëngjes nga furgoni i një punëtori ndërtimi që po kryente punime në zonë.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e marra nga policia dokumentuan gjithashtu se i arrestuari kishte sulmuar dhe kërcënuar tre persona të tjerë gjatë së njëjtës ditë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit