

Pas ndërprerjes së importeve nga Brazili prej datës 3 shtator 2026, shitësit dhe përpunuesit e mishit në vend paralajmërojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve për mishin e freskët të viçit, të pulave, si dhe nënproduktet e tyre.
Çmimet pritet të rriten nga 12% deri në 40% duke nisur nga muaji nëntor, ndërsa piku i shtrenjtimit parashikohet gjatë muajit dhjetor.
Ndalimi i importit të mishit dhe nënprodukteve të tij nga Brazili, Argjentina dhe gjetkë, vjen si pasojë e përshtatjes së legjislacionit shqiptar me rregulloren e re të Komisionit Evropian (BE 2026/1189), e cila ka vendosur kufizime për produktet me origjinë shtazore nga stabilimentet braziliane që nuk plotësojnë standardet e reja për përdorimin e produkteve antimikrobike.
Aktualisht, tregu vendas nuk e ka reflektuar ende këtë ndryshim në çmimet e pakicës, pasi kompanitë po shfrytëzojnë rezervat e siguruara përmes kontratave të lidhura përpara hyrjes në fuqi të urdhrit.
Sidoqoftë, përpunuesit bëjnë të ditur se stoku në magazina mund të zgjasë vetëm gjatë periudhës shtator-tetor.
Kalimi drejt tregjeve alternativë evropiane si Ukraina apo Rumania, si dhe drejt vendeve të tjera të Amerikës Latine si Argjentina, Paraguaji e Uruguaji, sjell kosto furnizimi dukshëm më të larta, pasi çmimet në këto tregje janë 12% deri 40% më të shtrenjta krahasuar me ato braziliane.
Efekti më i drejtpërdrejtë do të ndihet te filetoja e pulës, e cila përbën deri në 15% të importeve të disa kompanive dhe përdoret gjerësisht për përpunimin e proshutës. Çmimi i saj me shumicë pritet të rritet nga 320-330 lekë/kg që është aktualisht, në rreth 450 lekë/kg.
Po ashtu, mishi i viçit në tregun e pakicës pritet të pësojë një rritje prej 300 deri në 400 lekë për kilogram. Nga niveli aktual prej 1,300-1,350 lekë/kg, mishi i viçit parashikohet të arrijë në 1,600 deri në 1,700 lekë për kilogram gjatë muajve të ardhshëm.
Sipas të dhënave të INSTAT për 8-mujorin e vitit 2026, Brazili mbante peshën kryesore të furnizimit me 33% të totalit të importeve të grupit "mish dhe të brendshme të ngrënshme", i ndjekur nga SHBA-ja dhe Greqia.
Ndalimi i importit është kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila i ka udhëzuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të njoftojë operatorët ekonomikë për zbatimin e rreptë të rregullave të reja sanitare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






