Transmetuar më 28-09-2026, 17:16

TURQI- Një gjykatë në Stamboll ka dënuar me 19 muaj burg komedianin turk Deniz Göktas, pasi e shpalli fajtor për “fyerje të presidentit” dhe “fyerje të vlerave fetare”.

32-vjeçari kishte kaluar rreth tre muaj në paraburgim dhe pas vendimit është liruar, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në apel.

Gjatë procesit gjyqësor, Göktas ka kundërshtuar akuzat ndaj tij, duke argumentuar se përdorimi i termit “diktator” gjatë një shfaqjeje humoristike nuk duhet të përbëjë vepër penale.

Komediani ka deklaruar se bëhej fjalë për një përcaktim politik dhe se humori duhet të jetë i lirë nga censura. Sipas tij, një shfaqje politike në Turqi ku nuk përmendet presidenti Recep Tayyip Erdogan nuk do të pasqyronte realitetin politik të vendit.

Göktas është shpallur i pafajshëm për akuzën e lavdërimit të një krimi.

Gjatë seancës, komediani ka ruajtur një qëndrim të qetë dhe disa prej deklaratave të tij kanë shkaktuar të qeshura në sallën e gjyqit.

Pas vendimit, Göktas ka thënë se tre muajt e kaluar në paraburgim i janë marrë nga jeta. Me ironi, ai është shprehur se, pasi kishte lënë duhanin, do të përpiqej t’i “shtonte” këta tre muaj në fund të jetës së tij.

Deniz Göktas e nisi karrierën në skenën e stand-up-it në Stamboll në vitin 2019 dhe më pas ka performuar edhe në vende të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit