

UKRAINË- Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një serie sulmesh ruse të raportuara të hënën në disa qytete të Ukrainës, mes tyre Kievi, Harkivi dhe Dnjepëri.
Në Kiev, një sulm me dronë ka shkaktuar zjarr në një ndërtesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës. Sipas autoriteteve ukrainase, një grua ka humbur jetën, ndërsa ekipet e emergjencës kanë vijuar operacionet për shuarjen e zjarrit dhe kontrollin e ndërtesës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ekipet e shpëtimit po punonin në zonat e goditura për të kërkuar persona që mund të kishin mbetur të bllokuar.
Në rajonin e Kievit janë raportuar gjithashtu dy viktima, një prej të cilëve shtetas i Azerbajxhanit. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit konfirmoi vdekjen e shtetasit të saj dhe bëri të ditur se ambasada në Kiev po ofron ndihmë konsullore për riatdhesimin e trupit.
Dhjetë fëmijë mes të plagosurve në Harkiv Një tjetër sulm ka goditur Harkivin, ku një ndërtesë shumëkatëshe banimi është dëmtuar.
Kryebashkiaku i Harkivit, Ihor Terehov, raportoi se të paktën 35 persona janë plagosur, mes tyre 10 fëmijë. Sipas tij, një bombë e telekomanduar ruse goditi ndërtesën.
Operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e goditur kanë përfunduar dhe, sipas autoriteteve lokale, nuk është gjetur asnjë person tjetër nën rrënoja. Ndërkohë, ekipet vijojnë punën për largimin e mbetjeve dhe pastrimin e zonës.
Banorët kanë raportuar dëme të konsiderueshme në apartamente, me dritare dhe korniza të dëmtuara nga shpërthimi.
Tre të vrarë në Dnjepër Në Dnjepër, një sulm i raportuar rus ka goditur një ndërtesë zyrash në qendër të qytetit, duke shkaktuar zjarr.
Guvernatori rajonal, Oleksandr Hanzha, deklaroi se tre persona u vranë dhe të paktën 12 të tjerë u plagosën.
Sulmet e fundit vijnë një ditë pas një vale tjetër sulmesh ruse në Ukrainë, ku sipas autoriteteve ukrainase u vranë tetë persona në zona të ndryshme të vendit.
Të dhënat për viktimat dhe dëmet janë raportime të autoriteteve ukrainase dhe mund të ndryshojnë ndërsa vijojnë verifikimet në terren.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






