Transmetuar më 28-09-2026, 15:31

TIRANË- Aksidentet rrugore në Shqipëri janë rritur gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa të dhënat e INSTAT tregojnë se Tirana dhe Durrësi kanë shënuar rritjen më të ndjeshme.

Në periudhën janar-gusht 2026 janë regjistruar 983 aksidente rrugore, kundrejt 926 aksidenteve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përbën një rritje prej 6.2%.

Nga aksidentet e regjistruara në tetë muaj, numri i personave të vrarë dhe të plagosur ka arritur në 1,378, nga 1,306 që ishte një vit më parë.

Tirana dhe Durrësi me rritjen më të madhe

Tirana ka shënuar rritjen më të lartë në numër. Në kryeqytet janë regjistruar 369 aksidente, nga 270 në të njëjtën periudhë të vitit 2025, një rritje prej rreth 37%.

Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur në Tiranë është rritur, duke shkuar në 457 nga 342 një vit më parë.

Në Durrës, rritja në përqindje është edhe më e lartë. Aty janë regjistruar 98 aksidente, nga 62 në tetë muajt e parë të vitit 2025, ose rreth 58% më shumë. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve u rrit nga 93 në 139.

Rritje të aksidenteve janë shënuar edhe në Vlorë dhe Gjirokastër.

Në qarqe të tjera, tendenca ka qenë e kundërt. Në Shkodër aksidentet ranë në 45 nga 75, ndërsa në Korçë në 70 nga 91. Në Lezhë u regjistruan 115 aksidente, nga 126 një vit më parë, ndërsa në Fier 75, kundrejt 78.

Gushti solli një tjetër tendencë

Pavarësisht rritjes gjatë tetë muajve, muaji gusht regjistroi më pak aksidente se i njëjti muaj i vitit të kaluar.

Gjatë gushtit 2026 u regjistruan 139 aksidente, kundrejt 159 në gushtin e vitit 2025, duke shënuar një rënie prej 12.6%.

Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur ra, nga 229 në 191.

Sipas INSTAT, 86.3% e aksidenteve të regjistruara gjatë gushtit kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.

E hëna dhe orët e mbrëmjes, më problematiket

Të dhënat statistikore tregojnë edhe shpërndarjen e aksidenteve sipas ditëve dhe orareve.

E hëna ishte dita me peshën më të lartë, me 18% të aksidenteve të gushtit.

Ndërkohë, e mërkura dhe e premtja kishin peshën më të ulët, me nga 11.5%.

Për sa i përket orarit, intervali 19:00-24:00 rezultoi më problematiku, duke përqendruar 20.1% të aksidenteve të regjistruara gjatë muajit gusht.

Grupmosha 25-34 vjeç kishte gjithashtu peshën më të lartë, me 31.7% të totalit të aksidenteve.

INSTAT sqaron se të dhënat për personat e vdekur nga aksidentet për muajin e fundit janë paraprake dhe mund të rishikohen.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit