

MALIQ – Banorët e fshatit Burimas kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar projektin që parashikon furnizimin me ujë të fshatit Zvezdë nga burimi që, sipas tyre, siguron ujin e pijshëm për komunitetin e tyre.
Protesta është zhvilluar në rrugë, ku banorët kanë bllokuar kalimin dhe kanë penguar mjetet e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime të vijojnë punimet. Situata është tensionuar pas ndërhyrjes së forcave të Policisë së Shtetit, duke sjellë përplasje dhe shtyrje mes efektivëve dhe protestuesve.
Gjatë përplasjes, një prej protestuesve ka humbur ndjenjat. Banorët kanë kërkuar menjëherë ndihmën e ambulancës. Pas incidentit, protestuesi ka deklaruar se gjendja e tij ishte shkaktuar nga tensioni dhe se më pas ndihej mirë.
Banorët: “Duam të mbrojmë ujin e fshatit”
Banorët e Burimasit shprehen kundër projektit, pasi pretendojnë se marrja e ujit nga burimi që furnizon fshatin e tyre mund të ndikojë në furnizimin e komunitetit.
Ata kërkojnë që për Zvezdën të gjendet një burim alternativ dhe theksojnë se nuk do të lejojnë ndërhyrje në sistemin që garanton ujin e pijshëm për Burimasin.
Nga ana tjetër, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime argumenton se projekti është pjesë e një skeme rajonale dhe se furnizimi me ujë i Burimasit nuk do të preket.
Sipas drejtuesit të Njësisë së Projektimit pranë Ujësjellësit, Thoma Koroveshit, depoja e Burimasit ka një kapacitet prej 200 metër kub ujë dhe është ndërtuar fillimisht për furnizimin e Burimasit dhe Ormanit. Pas zgjidhjes së furnizimit të Ormanit përmes një investimi të mëparshëm, kapaciteti i kësaj depoje është planifikuar të përdoret për furnizimin e Zvezdës.
Tre protestues të shoqëruar
Përplasjet kanë vijuar deri në shoqërimin e tre protestuesve në Komisariatin e Maliqit, pasi ata dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ndërsa palët mbajnë qëndrime të ndryshme për projektin, shqetësimi i banorëve mbetet i njëjtë: siguria e furnizimit me ujë të pijshëm për komunitetin e Burimasit.
Çështja tashmë kërkon dialog mes banorëve, autoriteteve dhe shoqërisë së ujësjellësit, me qëllim që zgjidhja për furnizimin e Zvezdës të mos krijojë pasiguri për ujin e pijshëm të banorëve të Burimasit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






