Transmetuar më 28-09-2026, 13:34

KAVAJË — Policia e Kavajës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, ka finalizuar operacionin e koduar "Cooperation", duke arrestuar dy persona të cilët akuzohen për një seri vjedhjesh të automjeteve dhe grabitje me dhunë.

Në pranga kanë rënë shtetasit L. R., 37 vjeç, dhe A. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Të arrestuarit ishin shpallur në kërkim pasi më 24 shtator kishin vjedhur një automjet në Kavajë dhe kishin arritur të largoheshin me ndihmën e dy shtetasve të tjerë, L. D. dhe B. S. (të arrestuar më parë), të cilët kishin kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.

Gjatë ndërhyrjes për kapjen e tyre, efektivët e policisë lokalizuan automjetin me targa të huaja me të cilin qarkullonin të dyshuarit. Pavarësisht shenjës për ndalim, autorët nuk u janë bindur urdhrave dhe kanë kundërshtuar veprimet e policisë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se edhe automjeti me të cilin po lëviznin ishte i vjedhur.

Nga hetimet e kryera dokumentohet se dy të arrestuarit, gjatë muajit shtator, kanë vjedhur gjithsej 6 automjete: 1 në Kavajë, 3 në Durrës dhe 2 në Tiranë. Në njërin prej rasteve të ndodhura në kryeqytet, autorët kanë kanosur me thikë pronarin e mjetit për t’ia marrë atë.

Gjithashtu, shtetasi A. H. akuzohet se më 17 shtator ka vjedhur me dhunë xhiron ditore monetare në një pikë karburanti në Bulqizë.

Strukturat hetimore po vijojnë punën për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky grup, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit