

TIRANË — Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbledhur këtë të hënë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në një takim të mbyllur, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë zhvillimet e fundit rreth çështjes Hyseni dhe ndikimi i tyre në strukturat e sigurisë në vend.
Përveç anëtarëve të përhershëm ligjorë të këtij organi këshillimor, në mbledhje kanë marrë pjesë me ftesë të veçantë edhe drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Presidenca, diskutimet janë përqendruar në domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe aleatët strategjikë, si dhe rikthimin e besimit të publikut te institucionet e shtetit.
Anëtarët e Këshillit nënvizuan se agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sigurisë duhet të shmangin çdo lloj rivaliteti dhe të veprojnë në mënyrë të sinkronizuar.
"Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes, sigurisë së Republikës së Shqipërisë," thuhet në përfundimet e bëra publike nga Presidenca.
Gjithashtu, Këshilli i Sigurisë Kombëtare vuri theksin te ruajtja e pavarësisë së plotë të organit të akuzës dhe institucioneve të drejtësisë gjatë procesit hetimor.
"Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë," nënvizohet në deklaratë.
Në përfundim të takimit, u kërkua më shumë transparencë, llogaridhënie dhe kontroll i brendshëm institucional për t’i dëshmuar qytetarëve se sistemi ka kapacitetet e nevojshme për korrigjimin e vetvetes. Këshilli garantoi se Shqipëria zotëron të gjitha burimet profesionale dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë për të përballuar çdo sfidë të sigurisë kombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






