Transmetuar më 28-09-2026, 12:28

TIRANË — Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e nismës legjislative për hartën e re administrative-territoriale të vendit, ku mazhoranca socialiste dhe opozita janë përplasur ashpër mbi numrin e njësive vendore dhe procedurën e ndjekur.

Partia Socialiste kërkon miratimin e variantit për reduktimin e bashkive nga 61 në 46, ndërsa Partia Demokratike ka paraqitur një variant alternativ që parashikon zgjerimin e hartës në 100 bashki. Opozita ka kërkuar bashkimin e të dyja nismave dhe nënshtrimin e propozimit të saj ndaj një raundi të ri konsultimesh publike me komunitetet vendore.

Gjatë debateve në komision, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën për thellimin e pasojave negative të reformës së vitit 2014, duke e cilësuar procesin e konsultimit publik si fiktiv.

"Nga keq, e çoni akoma më keq. Ne kemi propozuar kalimin në 100 bashki. Reforma 2014 ka sjellë erozion social dhe institucional. Kanë ikur njerëzit. Konsultimet tuaja publike me komunitetin janë false. Ju po e bëni si e do kryeministri. Duhet që bashkitë të mundin të qeverisin vendin në përditshmëri për qytetarët, edhe sikur të jenë 1 vit pa qeveri. Ju nuk jeni konsultuar me komunitetet. Nisma juaj dhe nisma jonë, duhet të bashkohen. Duhet të bëhet edhe për nismën tonë procedura e konsultimit publik që bëtë për draftin tuaj. Ju vratë konsensusin se donit të nxirrnit hartën tuaj me 46 bashki. Bashkoni nismën tuaj legjislative, bashkoni dy nismat dhe bëni procedurë të njëjtë," deklaroi Bylykbashi.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, hodhi poshtë kërkesën e opozitës për bllokimin e procedurës, duke konfirmuar se punimet do të vijojnë mbi projektligjin e paraqitur nga shumica parlamentare.

"Silleni nismën tuaj, kur ta kemi në tavolinë do flasim. Ky komision do të vijojë me shqyrtimin e projektligjit të sjellë nga Partia Socialiste," u shpreh Manja.

Në diskutime u përfshirë edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili kritikoi me ironi nxitimin për miratimin e hartës së re dhe largësinë gjeografike që do të krijohet mes qytetarëve dhe shërbimeve vendore.

"Po se byrek është ky, nga ata të ngrirët që e fut në furrë e del për 4 minuta? Kjo nuk bëhet me një ditë. Edhe Diella me AI të kishte ardhur, nuk do ishte bërë. Nuk mund t’ua themi këtë shqiptarëve. Është dhe ky varianti ynë tjetër. I mirë i keq, le ta shohim. Duhet dëgjuar varianti tjetër. Jemi të mbaruar fare. Njësive vendore po u bien tavanet. Do marrë qytetari dang dang autobusin 2 orë, për të shkuar në bashki të mbajë radhën, e jo më të zgjidhë gjë. Pres qafën unë po e shkel kryetari i bashkisë territorin. Do merret ai kryetar me gardhin?" u shpreh Korreshi.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca ka konfirmuar vijimin e procedurës parlamentare për variantin e saj me 46 bashki.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit