Transmetuar më 28-09-2026, 12:18

TIRANË — Kryeministri Edi Rama i ka dërguar mesazhe të drejtpërdrejta përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe parlamentarëve evropianë gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërparlamentare, duke u kërkuar atyre që të mos e lënë më pas dore rajonin e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit.

Kreu i ekzekutivit theksoi se përkushtimi i Shqipërisë ndaj familjes evropiane mbetet absolut, ndryshe nga shumë vende anëtare ku anëtarësimi merret si i mirëqenë, ndërsa paralajmëroi se hezitimi i BE-së në këtë moment do të kishte pasoja të rënda strategjike për vetë Evropën.

"Krahasuar me vendet evropiane, ne kemi përparësi, sepse ende e dashurojmë BE-në. Nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja, ku më shumë merret si e mirëqenë BE-ja, sikur të ishte martesë. Ndërsa ne jemi plotësisht të angazhuar. Ne debatojmë shumë gjëra këtu brenda, në vendin tonë. Çdo ditë e kemi kapacitetin për të gjetur arsye që të mos jemi dakord me njëri-tjetrin, ama për një gjë kemi rënë dakord, që duam të jemi pjesë e Evropës. Ndaj ne shpresojmë shumë, unë shpresoj shumë, që ju të mos na lini përsëri në baltë. Sepse në këtë kohë, po të lihemi ne në baltë, shkon përtej të lënit në baltë të një vendi, por është të lësh në baltë vetveten. Nëse Evropa do të lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, nuk do jetë thjesht dështim, por do jetë dështimi më madhor," deklaroi Rama gjatë punimeve të konferencës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit