

TIRANË — Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Operacionale", kanë finalizuar operacionin e koduar "Seen", duke vënë në pranga dy të rinj të cilët tentuan të zhvasnin një sasi të madhe parash përmes mashtrimit kompjuterik.
Në pranga kanë rënë shtetasit Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç. Arrestimi i tyre u bë në flagrancë pikërisht në momentin kur po merrnin shumën prej 100 000 eurosh nga viktima e mashtrimit, një shtetas 64-vjeçar.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale pas kallëzimit të menjëhershëm të bërë nga 64-vjeçari, u dokumentua se dy të arrestuarit kishin hapur një profil të rremë në rrjetet sociale duke përdorur të dhënat dhe kredencialet e një personi të njohur të viktimës. Përmes këtij profili, autorët kanë komunikuar me të moshuarin duke e vënë në lajthitje me qëllim përfitimin e sumës financiare.
Strukturat hetimore po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Seen”. Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.
Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.
Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






