

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një vendimimmarrje më të guximshme politike nga Bashkimi Evropian për procesin e zgjerimit, duke i bërë thirrje bllokut që të mos i lërë hapat kyç për momentin e fundit, por të pranojë vendet kandidate në tryezën e përbashkët.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërparlamentare mbi Agjendën Strategjike të Zgjerimit të BE-së, kreu i qeverisë shqiptare hoqi një paralele me rënien e Murit të Berlinit dhe rolin historik të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, duke nënvizuar se Evropa ka nevojë sot për një sinjal të fortë bashkimi.
Për të ilustruar qasjen që BE-ja duhet të ketë ndaj rajonit, Rama përdori si metaforë familjen e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
"Shpresoj që të gjithë, pavarësisht zellit apo ngurrimit, të gjejnë rrugën për t’i dhënë botës dhe Evropës një sinjal shumë të fortë. Nuk është e vështirë një rrugë e tillë, është e thjeshtë, është si veza e Kolombit apo ajo e Helmut Kohl kur ra muri. Ai nuk i shkoi Lindorëve t’i tregonte kapitujt e shumtë për të plotësuar, por i tha: Ne jemi bashkë. Ende mund të shohësh dallime, ama çfarë mund të ndryshojë dhe lehtësojë është që vendimet politike të mos lihen në momentin e fundit. Të merren tani dhe më pas të plotësohen proceset sipas meritave. Shtatë fëmijë ka Ursula dhe Evropa ka shtatë kandidatë. Fëmijët e Ursulës u rritën në tavolinë, ajo nuk i tha vajzës shko rri me atë gangsterin rus apo vajzës të luajë me ato lodrat kineze. Ata ishin të gjithë në atë tavolinë, pavarësisht se fjala nuk i peshon të gjithëve njësoj, apo të gjithë hanë diçka," u shpreh Kryeministri.
Kreu i ekzekutivit theksoi se integrimi duhet të kryhet hap pas hapi në bazë të kapitujve të plotësuar, duke u bërë thirrje drejtuesve evropianë që të mos kujtohen për bashkimin vetëm në periudha krizash apo valësh emigracioni.
"Prandaj të gjithë duhet të jenë aty. Nëse ti plotëson një kapitull, je anëtar për atë kapitull. Nëse nuk ke plotësuar një tjetër kapitull, je si fëmija i Ursulës. Ne shumë gjëra i kemi të përbashkëta. Nuk duhet të kujtohemi se jemi një kur kemi vetëm ndonjë sulm, a valë emigracioni. Është si veza e Kolombit, shumë e thjeshtë, siç thotë kompania Nike: Bëjeni!" përmbylli fjalën e tij Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






