Transmetuar më 28-09-2026, 11:42

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Seen”, duke goditur një tjetër rast të dyshuar mashtrimi përmes platformave të komunikimit online.

Dy të rinj, E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç, janë arrestuar në flagrancë në momentin kur, sipas policisë, po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga një 64-vjeçar.

Rasti u zbulua pas kallëzimit të këtij të fundit, i cili kishte ngritur dyshime se po mashtrohej përmes një profili të rremë në një rrjet social.

Nga hetimet e kryera rezultoi se të dyshuarit kishin komunikuar me 64-vjeçarin duke përdorur një profil të aktivizuar me të dhënat dhe kredencialet e një personi të njohur prej tij, me qëllim krijimin e besimit dhe përfitimin e shumës së madhe të parave.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, organizuan ndërhyrjen dhe i kapën dy të rinjtë në flagrancë teksa po merrnin paratë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit