

TIRANË — Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i Antidrogës së Tiranës i finalizuar me arrestimin e 31 personave, të cilët akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe në disa nga zonat më kryesore të kryeqytetit.
Strukturat hetimore kanë dokumentuar veprimtarinë e të paktën 8 grupeve të ndryshme që operonin në bazë territori, përfshirë Laprakën, Brakën, rrugën "Jordan Misja", Selitën, Yzberishtin, Alliasin, Tregun Elektrik dhe Qytetin Studenti. Secili grup përbëhej nga 3 deri në 4 persona që mbulonin shitjen me pakicë. Hetimet zbuluan se grupet bashkëpunonin ngushtë me njëri-tjetrin; në rastet kur njërit prej tyre i mbaronte lëndja narkotike, klientët orientoheshin menjëherë drejt pikave të tjera të rrjetit.
Aktiviteti kriminal u dokumentua gjatë një hetimi katërmujor përmes përdorimit të agjentëve të infiltruar dhe blerjeve të stimuluara. Në kuadër të këtij aksioni u goditën edhe 5 persona të dyshuar si furnizues kryesorë që siguronin lëndët narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.
Mes furnitorëve të identifikuar është Ferit Xhani, i njohur me pseudonimin "Luzi", person me precedentë të mëparshëm penalë për drogë dhe plagosje. Gjithashtu, rol kyç në këtë strukturë luante edhe ish-efektivi i policisë Engrid Henaj, i përjashtuar më parë nga radhët e policisë për vjedhje.
Për t’i shpëtuar zbulimit dhe kontrolleve të policisë, shpërndarësit përdornin metoda kamuflazhi duke u zhvendosur me monopatina elektrike apo duke përdorur shërbimet e taksive dhe motomjeteve të transportit të shpejtë ("delivery"). Hetimet vijojnë për kapjen e 14 personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






