

TIRANË — Përfaqësuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend kanë refuzuar zyrtarisht ftesën e Kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në një tryezë konsultimi lidhur me skemën e re të pagave të magjistratëve.
Refuzimi i përbashkët është konfirmuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Gjykata e Lartë, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve si dhe Shoqata e Prokurorëve.
Përmes përgjigjeve zyrtare të dërguara pranë Kryeministrisë, krerët e institucioneve të drejtësisë theksojnë se diskutimi për këtë çështje është i pavend për sa kohë ligji i ri i miratuar nga Kuvendi është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, çdo dialog institucional mund të jetë efektiv dhe substancial vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë vendimin e saj përfundimtar.
Në përgjigjen e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, sqaron se për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjalën e ka Gjykata Kushtetuese. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe GJKKO, e cila bëri me dije se i ka kthyer përgjigje zyrtare ekzekutivit duke njoftuar mospjesëmarrjen në takimin e parashikuar për datën 28 shtator.
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nënvisojnë se kërkojnë shtyrjen e çdo tryeze konsultimi deri në zbardhjen e vendimmarrjes kushtetuese, me qëllim që diskutimet me qeverinë të zhvillohen mbi një kuadër të qartë ligjor.
Përplasja mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë nisi pas mospërputhjeve mbi formulën e llogaritjes së pagave. Më 18 shtator, Kuvendi miratoi me 84 vota një formulë të re që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidentit të Republikës. Kjo masë u kundërshtua nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat më 21 shtator iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për pezullimin dhe shfuqizimin e këtij ligji.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






