

ATHINË — Një zjarr i madh ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së hënës në një kafene në rrugën “Kastamonis” në zonën Nea Ionia të Athinës, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme të shumta materiale. Flakët e nisura në katin përdhes u përhapën me shpejtësi drejt tre kateve të mësipërme të ndërtesës, duke detyruar banorët të evakuoheshin me urgjencë.
Për shuarjen e flakëve dhe realizimin e operacionit të kërkim-shpëtimit ndërhynë 18 zjarrfikës me pesë automjete si dhe një mjet special me shkallë. Ekipet e emergjencës arritën të nxirrnin shëndosh e mirë disa qytetarë që kishin mbetur të bllokuar në ballkone apo që po tentonin të kalonin përmes tymit intensiv. Banorë të zonës dëshmuan se zjarri u parapri nga një shpërthim i fuqishëm në katin përdhes.
Lokali ku ndodhi ngjarja është i njëjti ambient ku më 22 shkurt të vitit 2023 u ekzekutua me armë zjarri 37-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të shpërthimit, ndërsa po analizohet nëse ngjarja lidhet me ndonjë defekt teknik si shpërthim bombole gazi apo nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme me prapavijë kriminale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






