

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit pas muajve të tërë protestash masive të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit ku humbën jetën 16 persona.
Sipas procedurës kushtetuese, detyrën e presidentit e merr përkohësisht kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ndërsa Vuçiç pritet të angazhohet drejtpërdrejt në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit me synimin për të marrë postin e kryeministrit.
Gjatë një fjalimi të mbajtur përpara mbështetësve të mbledhur me pishtarë përpara godinës së Presidencës, Vuçiç u shpreh: "Pati shumë momente të vështira gjatë asaj periudhe, nga Covid, te konflikti ukrainas-rus dhe gjithçka tjetër. Ne gjithmonë ia dolëm të ruanim paqen dhe stabilitetin e vendit tonë. Pavarësisht se sa shumë kemi bërë, e di që kemi bërë shumë gabime, i kam bërë edhe unë. Kemi pasur shumë njerëz që janë sjellë me kokëfortësi. Kur marrin detyrën, harrojnë ata që i kanë zgjedhur dhe për të cilët janë zgjedhur. Dua ta ndryshojmë këtë së bashku në të ardhmen. Sonte është shansi im i fundit, hera ime e fundit si president në këtë ndërtesë të bukur. Kam qenë president i Serbisë për kohën më të gjatë në historinë serbe, që kur kemi futur demokracinë shumëpartiake. Krenar sepse kam mundur ta bëj këtë falë votave dhe mbështetjes suaj. E shoh të ardhmen me gëzim sepse e di se na presin shumë fitore dhe suksese të tjera dhe se Serbia do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen. Tashmë vitin tjetër do të jemi ekonomia më e fortë në Evropë. Tani po pres të jap dorëheqjen, por lufta sapo ka filluar. Ne nuk lindëm në karrige. Dhe pa karrige, ne do t’i mposhtim ata."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






