

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër akuzave të opozitës lidhur me pretendimet se ka marrë si dhuratë një orë me vlerë të lartë nga eksponentë të krimit të organizuar.
Nga aeroporti i Rinasit, kreu i qeverisë i cilësoi kundërshtarët e tij politikë si “pisanjosë me kostum parlamentar”.
Rama deklaroi se të gjitha dhuratat që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare janë regjistruar dhe mbeten pronë e shtetit shqiptar.
“Sot në Kryeministri ka një muze të dhuratave. Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar u them se në atë muze ka një duzinë orësh të shtrenjta dhe super të shtrenjta,” tha Rama.
Kreu i ekzekutivit sqaroi se orët i janë dhuruar nga vizitorë të huaj apo miq të fuqishëm, por asnjë prej tyre nuk është dërguar në shtëpinë e tij private.
Ai e krahasoi këtë praktikë me atë të paraardhësit të tij në detyrë, duke theksuar se çdo gjë që i jepet Kryeministrit i përket institucionit dhe publikut.
Gjithashtu, Rama hodhi poshtë pretendimet për favore të fshehta, duke nënvizuar se pushteti i tij nuk është përdorur kurrë për të dhënë përfitime të errëta.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






