

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar kritika të fortë mbi mënyrën se si informacionet sekrete nga dosjet hetimore të drejtësisë po rrjedhin në media.
Nga aeroporti i Rinasit, kreu i qeverisë akuzoi prokurorë dhe gjyqtarë se po përdorin gazetarët për të krijuar perceptim public fajësie për personat nën hetim.
Rama e krahasoi këtë fenomen me praktikat e regjimeve diktatoriale, ku propaganda e paraprin vendimin e gjykatës.
“Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane,” deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se gazetarët po përdoren nga magjistratët për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur ende gjykimi formal.
Sipas tij, në këtë mënyrë gjyqi mbetet një formalitet pasi mjetet e propagandës kanë mbaruar punën e tyre.
Kreu i ekzekutivit nënvizoi se ky shpërdorim i sekretit hetimor brenda vetë oborrit të drejtësisë përbën një paligjshmëri që nuk mund të anashkalohet më.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






