

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish hetimet e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Nga Rinasi, ai përsëriti se masa “Arrest në shtëpi” ishte ekstreme, por theksoi se nuk i takon atij të vlerësojë vendimet e organit të akuzës.
Sipas tij, çdo masë e kufizimit të lirisë mund të kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo në foltoren e Kryeministrisë.
Kreu i qeverisë ngriti shqetësimin për nxjerrjen e sekretit hetimor në rrjetet sociale dhe median online.
“Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre,” deklaroi Rama.
Ai nënvizoi se ky ekspozim i pakontrolluar krijoi një dëm të madh shtetëror për një institucion me ndjeshmëri të veçantë si SHISH.
Kryeministri shtoi se ky dëm mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht nga organet përkatëse.
Gjithashtu, Rama garantoi se respekti për drejtësinë mbetet i plotë, por reagimi i tij lidhet me mbrojtjen e parimeve shtetërore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






