

Pritej diçka e rëndësishme në mesazhin për kombin, por Rama përsëriti linjën e tij: kritika ndaj prokurorisë, gjyqësorit dhe medias
Pas disa ditësh zhvillimesh të forta rreth ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, kthimi i Edi Ramës nga Shtetet e Bashkuara dhe njoftimi se kryeministri do t’u drejtohej menjëherë shqiptarëve krijuan pritshmërinë për një mesazh me zhvillime të reja.
Adresimi u bë nga aeroporti “Nënë Tereza”, menjëherë pas kthimit nga Nju Jorku. Nuk ishte konferencë për shtyp dhe gazetarët nuk patën mundësi t’i drejtonin pyetje kryeministrit; mesazhi u shpërnda për mediat nga regjia e Kryeministrisë.
Por në një fjalim të gjatë, Rama nuk njoftoi ndonjë ndonjë masë të re politike apo institucionale që lidhej drejtpërdrejt me të dhe qeverinë që kontrollon prej afro 14 vjetësh. Boshti i adresimit ishte tjetër: mbrojtja e tezës së tij për Reformën në Drejtësi, kritikat për mënyrën se si të dhënat hetimore kanë dalë në media dhe kundërshtimi i idesë se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë provojnë se qeveria është e zhytur në korrupsion.
Për Vlora Hysenin, Rama ruajti dy linja paralelisht. Nga njëra anë, tha se hetimi dhe gjykimi i saj janë çështje ekskluzive të drejtësisë dhe se çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Ai pranoi gjithashtu se ish-drejtuesja e SHISH tashmë ka “një llogari shumë të vështirë me drejtësinë” dhe një “borxh të madh moral” me vendin.
Nga ana tjetër, kryeministri e cilësoi masën e arrestit në shtëpi “ekstreme” në kontekstin e ekspozimit të institucionit që ajo drejtonte dhe e zhvendosi një pjesë të madhe të debatit nga përmbajtja e dyshimeve penale te mënyra se si dosja është administruar dhe bërë publike. Edhe raportimet e menjëhershme pas fjalimit evidentuan pikërisht këtë ndarje: Rama tha se nuk do të hynte në provat e dosjes, por ngriti shqetësim për ekspozimin e SHISH dhe publikimin e materialeve hetimore.
Këtu fjalimi mori edhe tonin më të ashpër.
Rama kritikoi atë që e përshkroi si nxjerrje të sekreteve hetimore “nga brenda institucioneve të drejtësisë”, duke pretenduar se prokurorë ose gjyqtarë të caktuar përdorin gazetarë për t’i shpallur njerëzit fajtorë përpara procesit gjyqësor.
Në të njëjtën kohë, ai e mbrojti rolin e medias në publikimin e informacionit, duke thënë se “mediat ekzistojnë për të zbuluar, jo për të mbuluar”, por përdori një gjuhë shumë kritike për një pjesë të saj, duke folur për “tezga mediatike”, “zëdhënës informalë të oborrit të drejtësisë” dhe më pas për televizione që, sipas tij, veprojnë kundër qeverisë.
Pra, ndonëse Rama deklaroi disa herë respektin për pavarësinë e prokurorisë dhe gjykatave, një pjesë e konsiderueshme e fjalimit ishte në fakt një kritikë e fortë ndaj mënyrës se si segmente të sistemit të drejtësisë, sipas tij, menaxhojnë sekretin hetimor dhe komunikimin indirekt me median.
Kjo nuk është një linjë krejt e re e kryeministrit. Edhe në raste të mëparshme kur bashkëpunëtorë ose zyrtarë të mazhorancës janë përballur me drejtësinë, Rama ka përdorur argumentin se PS nuk është “zyrë avokatie” e të akuzuarve, ndërsa ka paraqitur hetimin e njerëzve të lidhur me pushtetin si provë të funksionimit të drejtësisë së re.
I njëjti argument dominoi edhe adresimin e sotëm.
Rama kundërshtoi drejtpërdrejt narrativën se numri i zyrtarëve apo ish-zyrtarëve që përballen me SPAK është dëshmi e përhapjes së korrupsionit në qeverisje. Interpretimi i tij ishte krejt i kundërt: sipas kryeministrit, këto raste tregojnë se “korrupsioni nuk po rritet, por po goditet”.
Madje ai e paraqiti pavarësinë e drejtësisë si një arritje politike të qeverisjes së tij dhe të Partisë Socialiste, duke deklaruar se autorësinë për Reformën në Drejtësi “nuk e negocion me askënd”.
Edhe ky është një argument që Rama e kishte përdorur vetëm dy ditë më parë në Nju Jork, ku kishte folur për krijimin e një “imuniteti” institucional kundër korrupsionit dhe kishte paraqitur veprimin e institucioneve të reja të drejtësisë si shenjë të transformimit të sistemit.
Pjesa potencialisht më konkrete e fjalimit lidhej me sigurinë kombëtare. Rama tha se rasti Hyseni nuk duhet parë vetëm si çështje individuale penale, pasi ekspozimi i kreut të shërbimit sekret prek edhe interesat e shtetit. Për këtë arsye ai e konsideroi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj për të hënën, si vendin ku duhet diskutuar se çfarë garancish duhen vendosur kur një drejtues apo punonjës i institucioneve të sigurisë bëhet subjekt i një hetimi penal. Mbledhja është parashikuar për mëngjesin e 28 shtatorit.
Por edhe këtu Rama nuk njoftoi ndonjë ndryshim konkret ligjor apo institucional. Ai tha se çështja duhet diskutuar.
Një tjetër pikë që pritej me interes ishte emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH. Rama e mbrojti vendimin e tij, duke thënë se ajo kishte punuar fillimisht si këshilltare pranë tij dhe se më pas ishte emëruar drejtuese bazuar edhe në “referenca të shkëlqyera” nga shërbimet partnere. Ai hodhi poshtë si “fantazi konspirative” interpretimet që janë bërë këto ditë rreth arsyes së emërimit të saj.
Megjithatë, nuk pati përgjigje të detajuar për pyetjet politike që kanë lindur pas hetimit: çfarë kontrollesh u kryen para emërimit, nëse kishte sinjale të mëparshme problematike dhe çfarë përgjegjësie politike ekziston kur personi i zgjedhur për të drejtuar një nga institucionet më të ndjeshme të shtetit përfundon nën hetim penal. Opozita ka kërkuar pikërisht llogaridhënie mbi procesin që çoi në emërimin e Hysenit.
Në vend të kësaj, pjesa e dytë e adresimit u shndërrua në një mbrojtje shumë më të gjerë të bilancit personal dhe politik të Ramës.
Kryeministri foli gjatë për akuzat ndaj tij për korrupsion, për pronat, biznesmenët, krimin e organizuar, dhuratat që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës dhe financimin e udhëtimeve e automjetit të tij. Ai deklaroi se askush nuk mund të provojë se ka marrë para ose prona në këmbim të vendimeve të tij dhe e përmblodhi qëndrimin me formulimin: “Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri”.
Fjalimi përfundoi duke u kthyer përsëri te Reforma në Drejtësi. Rama e përshkroi procesin aktual si “vetëpastrim të sistemit” dhe këmbënguli se goditja e njerëzve me pushtet nuk është dëshmi e dështimit të qeverisë, por e funksionimit të institucioneve që kjo shumicë, sipas tij, i bëri të pavarura.
Në fund, mesazhi i paralajmëruar pas kthimit nga SHBA nuk solli ndonjë informacion të ri për dosjen Hyseni dhe as ndonjë vendim të ri për mënyrën se si shteti do të reagojë ndaj krizës së krijuar në drejtimin e SHISH.
Ai solli, megjithatë, një pozicionim politik të qartë: Rama nuk e kundërshton hetimin ndaj Hysenit, por kundërshton mënyrën se si pjesë të dosjes kanë dalë në publik; nuk e pranon që rastet penale të zyrtarëve të interpretohen si provë e korrupsionit sistemik të qeverisë së tij; dhe paralajmëron se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare do të kërkojë diskutim mbi mbrojtjen e institucioneve të sigurisë kur drejtuesit e tyre përfshihen në hetime penale.
Pra, më shumë sesa një mesazh me zhvillime të reja, dalja nga Rinasi ishte një kundërpërgjigje politike ndaj debatit të ditëve të fundit: mbrojtje e Reformës në Drejtësi si arritje e qeverisjes së tij, distancim nga përgjegjësia individuale e Vlora Hysenit dhe kritika të forta ndaj rrjedhjes së materialeve hetimore dhe mënyrës se si ato përpunohen në hapësirën mediatike.
Fjala e plotë Kryeministrit Rama drejtuar shqiptarëve, pas mbërritjes në Aeroportin “Nënë Tereza”, përmes një videomesazhi pa praninë e medias
Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare,
Sapo jam kthyer nga Nju Jorku, ku siç e dini, përfaqësova Shqipërinë, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vendosa t’ju drejtohem menjëherë nga këtu, në aeroportin ‘’Nënë Tereza’’, sepse zhvillimet e ditëve të fundit, pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ, kërkojnë një adresim të menjëhershëm dhe të drejtëpërdrejtë. Sy më sy.
Ishte padiskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Po unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë. Nuk e kam bërë në asnjë rast më parë dhe nuk do ta bëj as në këtë rast. Çdo dyshim i arsyeshëm, për këdoqoftë, duhet të hetohet deri në fund.
Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdoqoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindoqoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetem në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës.
Këto piketa të vijës së sjelljes sime e të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Për të gjithë. Por nga ana tjetër, respekti për pavarësinë e drejtësisë, nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
U desh, që të dhëna të dosjes hetimore, të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se sa gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht pa asnjë sukses.
Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë.
Me fjalë të tjera, nuk është me siguri hera e parë në historinë e botës, që shefi i shërbimit sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës, që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar e ndërkombëtar thashethemesh mediatike, për shkak të mosmarrjes së asnjërës prej masave, që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq sa ky.
Që të jemi shumë të qartë:
Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. As kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim.
Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrësesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. E këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë, prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkarisht dhe seriozisht.
Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal.
Siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive.
Ndërsa orvajtjet e këtyre ditëve, për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me turlilloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën. Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë.
Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë.
Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere – nënvizoj, e shkëlqyera – ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit.
As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer.
Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrësesi më i drejtë, kur njerëzit e vendosur nën hetim nga prokuroria, linçohen nëpër tezgat mediatike, sikur të ishin shtriga të lidhura mbi turrat e druve të Mesjetës.
As kjo shoqëri nuk bëhet kurrësesi më e mirë, kur i fryn zjarrit të atyre turrave me bulçitë e urrejtjes së kanaleve sociale, ndërkohë që mbllaçit e rimbllaçit nëpër pazar kinse sekretet hetimore, të cilat nxirren në mexhelis nga brenda institucioneve të drejtësisë, duke e katandisur prezumimin e pafajësisë në një leckë të djegur.
Askush nuk mund të pretendojë që sekretet hetimore t’i ruajnë mediat, sepse mediat ekzistojnë për të zbuluar jo për të mbuluar.
Prandaj problemi nuk nis tek zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren si gazetarë nga prokurorë apo gjykatës të caktuar, për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa filluar ende gjyqi – njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet vetëm një formalitet.
Prandaj ky problem gjithnjë e më shqetësues, i cili nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, poshtëruar, nënshtruar e dënuar publikisht njeriun përpara se ta gjykojë gjykata, nuk mund të anashkalohet më tej.
Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e politikës, sipërmarrjes apo krimit, duke e normalizuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e shumëpritur e drejtësisë nuk mund të shfaqet assesi si pavarësi nga Kushtetuta, si papërgjegjshmëri ndaj ligjit, si shkëputje nga të drejtat e njeriut dhe si shpërfillje ndaj etikës shoqërore.
Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë. Gjykata ka të drejtën dhe detyrën të gjykojë. Media ka të drejtën dhe detyrën të zbulojë, informojë, kërkojë llogari.
Por askush nuk ka të drejtën ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit, e jo më pastaj ta dehumanizojë botërisht.
Shteti ligjor provohet në çdo hap dy herë; me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe me disiplinën për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton – edhe sikur ky të jetë krimineli më i madh.
Për sa më takon, si për çdokënd tjetër, në çdo rast tjetër, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë.
Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar rreth kësaj teme në vetvete.
Por tani kam ende për të thënë mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi, pasi edhe këtë herë, u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë e përgjithshme, kundër qeverisë dhe sigurisht, edhe kundër meje personalisht, me refrenin e shfrenuar, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”…
Të dashur zgjedhës e zgjedhëse, pavarësisht bindjeve e kahjes së votës,
Fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, edhe anëtarë të qeverisë a bashkëpunëtorë të saj, nuk provon kurrësesi se na mbyti korrupsioni apo se korrupsioni po rritet. Përkundrazi.
Fakti se në episodet e këtij kapitulli të ri, të dobishëm e të shëndetshëm për Shqipërinë, hetimet e pavarura u hapin llogari me drejtësinë individëve të veshur me pushtet apo të lidhur me pushtetin, nuk provon assesi që shumica qeverisëse është e korruptuar. Përkundrazi.
Ky fakt, këto episode, kjo histori e re drejtësie në Shqipëri, ku, kurrë më parë, s’ka pasur asnjë lloj drejtësie të pavarur, sepse s’ka pasur kurrë më parë një udhëheqje politike të interesuar për t’i dhënë pavarësi drejtësisë dhe as ka pasur një forcë politike të gatshme për të mbështetur një drejtësi të pavarur,
duke i marrë përsipër kostot e saj mbi lëkurën e vet, provojnë krejt, po krejt të kundërtën e avazit, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”…
Ato provojnë se korrupsioni nuk po rritet, por po goditet.
Ato provojnë se shumica qeverisëse nuk është e korruptuar, po është e palëkundur në mbështetjen e organeve të pavarura të luftës kundër korrupsionit, edhe dhe mbi të gjitha brenda radhëve të saj.
Ato provojnë se ne jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reformat e masat e mëtejshme anti-korrupsion nga ana e qeverisë, qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi anti-korrupsion i organeve të pavarura të drejtësisë.
Patjetër, e kam fort mirë parasysh, se sa herë del një rast i ri, ku një bashkëpunëtor a zyrtar i lartë ose i ulët, përshihet në librin e llogarive me drejtësinë, rimerr hov drejt meje avazi i vjetër, vulgar dhe përqeshës:
“Po si mund të mos e dija; po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë; po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës; po si si si…” Sepse sipas atij avazi, kryefajtori i çdo rasti jam pikërisht unë, që e desha kur askush nuk e besonte si të mundshme, e udhëhoqa kur shumëkush e donte të vdekur dhe e mbroj si askush tjetër Reformën në Drejtësi.
Por ja që një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd, që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, sepse përndryshe shkelësi është ai vetë.
Kryeministri dhe krejt shumica qeverisëse gjykohen nga qëndrimi që mbajnë dhe veprimi që bëjnë, kur hapet llogaria e drejtësisë për dikë mes tyre apo pranë tyre.
A e justifikojnë? A e mbrojnë? A i kundërvihen drejtësisë apo e lenë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe individin të mbajë përgjegjësinë e vet?
Unë premtova rilindjen e një Shqiperie të rrënuar dhe shtetbërjen europiane të Shqipërisë, jo një qeverisje ku askush nuk do të shkelte askurrë në dërrasë të kalbur dhe as një administratë engjëllore, ku xhagajdurët do të avullonin me urdhërin e peshkut, kur I thonë fjalës.
Mirë do ishte, por se ka arritur kush në botë.
E mbi të gjitha unë u zotova për çlirimin e pavarësimin e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm, pavarësisht përkatësisë politike apo afërsisë me majën e pushtetit politik.
Dhe ky është ndryshimi historik që sot po ndodh, ndërkohë që pyetja me vend, nuk është si ka mundësi të mos e dijë kryeministri kur një vartës i tiji shkel ligjin, po është si mund ta dijë kryeministri që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin apo po vepron fshehtazi në shkelje të ligjit?
Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo fillon të kurdiset për të punuar së prapthi.
Prandaj edhe demokracitë kanë organe qeverie, po kanë edhe organe të pavarura drejtësie dhe prandaj e kam kërkuar me aq këmbëngulje Reformën në Drejtësi dhe e mbështes me kaq vullnet drejtësinë e re – përtej të gjitha boshllëqeve e lajthitjeve të saj, sa të dhimbshme, aq edhe të kuptueshme.
Tani unë me siguri dhe e them sinqerisht duhet të kem fajet e mia, pa diskutim.
Por ajo që mund të them me sigurinë më të madhe është se kurrë, në asnjë rast e për asnjë arsye, mua nuk më bën dot askush palë, për asgjë që në të 28 vjet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të ketë prekur paratë e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, interesat e shqiptarëve.
Patjetër që mund të dalin plot e të flasin në emrin tim, apo kundër emrit tim.
Mund të thonë se pas një kërkese personale apo pune të tyre private, jam unë.
Mund të thonë se pas një bëme korruptive a një gjëme kriminale, jam unë.
Mund të tregojnë përralla me arkitektët e tërë botës, mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia.
Mund të rrëfejnë historira, me tërë kriminelët e Shqipërisë që mblidhen që të fitojnë zgjedhjet për mua.
Mund të thonë se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, që u shes atyre nën dorë copa Shqipërie dhe jetoj në saraje luksoze, e fluturoj në tërë qiejt e botës me avionë privatë, të paguar dhjetra miliona euro me taksat e shqiptarëve.
Të tëra e shumë më shumë se këto i kanë thënë dhe mund t’i thonë përsëri e përsëri, bashkë me të tjera të reja, që do t’u pjellë mendja e fantaksur prej luftës për pushtet apo e urrejtjes për vajmedet.
Po ama një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë. Sepse nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni.
E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë.
Kush më njeh e di mirë çfarë flas.
Kush ka përfituar të drejta kushtetuese zhvillimi të pronës a mundësi të ligjshme investimi, edhe falë firmës sime, e di po aq mirë se çfarë flas.
E di mirë çfarë flas po ashtu, kur ju them se pushteti im s’është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme.
Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri.
Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo me sqep sorrash e korbash në vend të buzëve, të cilët ndër plot jashtëderdhjet e tyre në mexhelisin e Shqipërisë, kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë, që unë e paskesha marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka thuajse një duzinë orash të shtrenjta e super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua, personalisht, jo nga kriminelë po nga miq të fuqishëm a vizitorë shumë të nderuar.
Por ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, me tërë dhuratat e tjera të tetë viteve të tij në zyrën e kryeministrit, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time.
Prandaj për shembull privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër ose prandaj fjala vjen, makina ime merret me qera nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie.
Prapë e them, sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia dhe në 28 vitet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të kem bërë madje shumë më tepër gabime se sa ato jo pak që unë i di vetes.
Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten.
E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta.
E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje.
Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:
Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.
Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij.
Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletë-thirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjenike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të ministrisë së mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore.
E di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi.
E di gjithashtu, e di që çke me të , që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjermësot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato “bombat çudibërëse” anti-qeveri, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”.
E di edhe që një tjetër televizion “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, i ushqyer nga paratë e evazionit marramendës fiskal, ka marrë peng një prokurori të tërë në Tiranë, ku në vend se të thirret evazori i madh për të dhënë llogari për milionat e detyrimeve ndaj shtetit, prokurorët e trembur dhe të tredhur prej tij, hapin çështje për të trembur punonjësit e tatimeve që denoncojnë evazorin.
E di që Shqipëria e deridjeshme e harmonisë me korrupsionin dhe padrejtësinë, nuk ka ikur përfundimisht nga jetët tona. Bishtat e panumërt të atij vendi i kemi ende nëpër këmbët e jetës së përditshme.
Por ama e di me siguri, që koha, kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe një dhomë e hapur sa herë e keqja donte pazar, nuk kthehet më.
Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë.
Ka ikur ajo kohë, sepse unë, Partia Socialiste dhe shumica e shqiptarëve që na besoi, i hymë detit në këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë, më sfiduese e më të dhimbshme në historinë e shtetit shqiptar. Reformën e reformave, sfidën e sfidave, përmbysjen e të gjitha përmbysjeve.
Morëm përsipër aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë, nga duart e pushtetit politik që e mbante atë shpatë qysh prej vitit 1912, në duart e një pushteti të ri, atij të drejtësië së çliruar e të pavarësuar me vullnetin tonë.
E bëra unë atë dorëzim jo se isha naiv, as se nuk e dija që ajo shpatë do të kërkonte koka në radhët tona, po sepse ishte e imja, e jona dhe e askujt tjetër, barra e asaj sakrifice të madhe politike, po njëkohësisht investimi të madh, strategjik dhe vendimtar, për të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë.
Ndërsa sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, vetë sistemi institucional i Shqipërisë po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë, kjo është një arritje e madhe kombëtare, autorësinë e të cilës, ndjesë, po nuk e negocioj me askënd; është imja dhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë – apo që po bëjne me disa qeveri të tjera rrotull në rajon.
Dhe padyshim, nuk e solli pavarësinë e drejtësisë PeDeja, sorrat, korbat e dështakzemërakët, që sot bërtasin “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni” dhe e shikojnë SPAK-un si armën e vetme fatale kundër meje, që i kam mundur e mundur në çdo zgjedhje, e që i mund në këto betejat e shpifura të arenës politike dhe mediatike te akuzave e të shpifjeve, sa herë u gënjen mendja se më zunë ngushtë e ma bënë gropën.
Po natyrisht, nuk është mundja e tyre që ma prish gjumin dhe asfare nuk është gjelfryrja e pulëkakarisja e tyre e rastit, arsyeja e këtij adresimi të posaçëm.
Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavaresi të plotë.
Deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe ky është një ndryshim epokal që ka nisur.
Vetëpastrimi i sistemit në këtë fazë ende në formësim të shtetit të ri europian të Shqipërisë është i zhurmshëm. Madje është nganjëherë edhe i pistë dhe shpeshherë po shumë i dhimbshëm.
Ai prek e lëndon edhe individë të pafajshëm, ashtu sikundër keqtrajton e dehumanizon këdo edhe të fajshmit.
Por vetëpastrimi i sistemit është një zhvillim i shumëpritur në organizmin e shtetit, pas një agonie tejet të gjatë sa historia e shtetit shqiptar.
Organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra, e kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar; kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat e piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur; kur tymrat e pasqyrave digjitale të jenë shpërndarë e pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime, janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria.
Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas.
Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






