Transmetuar më 27-09-2026, 14:59

Menjëherë pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga vizita zyrtare në SHBA, kryeministri Edi Rama i është drejtuar opinionit publik.

Reagimi i tij lidhet me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Kreu i qeverisë e cilësoi vendimin e gjykatës si një masë “ekstreme”, duke marrë parasysh rëndësinë e institucionit të inteligjencës.

“Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se ishte një masë ekstreme për shkak të ekspozimit të një institucioni shumë kyç për sigurinë e vendit.

Kryeministri nënvizoi se ekzekutivi nuk ndërhyn në hetimet apo dosjet e organit të akuzës.

“Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë,” u shpreh ai.

Rama kërkoi që çdo dyshim të hetohet deri në fund dhe çdo akuzë të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të paanshëm.

Deklarata e kreut të qeverisë vjen përpara mbledhjes së thirrur të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Takimi pritet të mbahet mëngjesin e së hënës në Pallatin e Brigadave për të analizuar situatën e krijuar.

Rama: "Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm," tha Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit