

RINAS — Kryeministri Edi Rama ka anuluar në minutat e fundit daljen e paralajmëruar për mediat nga salla e shtypit në aeroportin “Nënë Tereza”, menjëherë pas zbarkimit nga fluturimi prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetarët dhe ekipet e xhirimit që prisnin mbërritjen e kreut të qeverisë kanë mbetur jashtë ambienteve të përcaktuara, ndërsa është bërë me dije se Rama ka zgjedhur të përcjellë një video-mesazh të parapërgatitur, i cili do të shpërndahet përmes sinjalit me regji nga vetë Kryeministria.
Ndryshimi i formatit të komunikimit publik vjen në një moment mjaft delikat, teksa vëmendja është përqendruar te hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, lidhur me dyshimet për rrjedhje të informacioneve sekrete në dosjen “AKSHI”.
Pavarësisht anulimit të konferencës ballë për ballë me gazetarët në Rinas, kryeministri pritet të jetë i pranishëm ditën e hënë në orën 08:30 në mbledhjen e thirrur të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Pallatin e Brigadave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






