

FIER — Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë finalizuar dy operacione të njëpasnjëshme të fokusuara në goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe verifikimin e mjeteve luksoze të dyshuara të trafikuara.
Në kuadër të operacionit të koduar “No Guns 5”, efektivët e Komisariatit të Policisë Fier ushtruan kontroll në banesën e 66-vjeçarit Rexhep Mehmeti, banues në Fier. Gjatë kontrollit, shërbimet e rendit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik si dhe një krehër me 29 fishekë luftarakë, duke bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë.
Paralelisht, gjatë një tjetër aksioni të organizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, u ndalua për verifikim një automjet luksoz i markës “Benz”. Nga verifikimet e kryera në sistemet ndërkombëtare, mjeti i viteve të fundit doli se rezultonte i shpallur në kërkim nga Interpol Manchester në Mbretërinë e Bashkuar.
Për këtë rast, Policia nisi procedimin në gjendje të lirë ndaj përdoruesit të mjetit, shtetasit E. D., 26 vjeç, banues në Mallakastër, nën akuzën e “Trafikimit të mjeteve motorike”. Materialet hetimore për të dyja ngjarjet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






