

KAKAVIJË — Struktura e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër kanë parandaluar një tentativë për trafikimin e një sasie të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, duke vënë në pranga dy persona.
Gjatë kontrollit të detajuar në skaner dhe në vijën e dytë në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, efektivët e policisë ndaluan një furgon të drejtuar nga shtetasi Klejdi Agalliu, 28 vjeç, ku udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, Bukurije Agalliu, 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë.
Nga kontrolli i imtësishëm i mjetit, në një hapësirë të krijuar posaçërisht në dyshemenë e furgonit, policia zbuloi 88 pako me lëndë të dyshuar kanabis sativa, me peshë totale prej 91 kilogramësh.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e narkotikëve arrestuan në flagrancë çiftin e bashkëshortëve dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasinë e drogës bashkë me furgonin.
Strukturat e DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë vendore, po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi, ndërsa materialet procedurale i kaluan gjykatës për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike".
Njoftimi i policisë:
Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare bazuar në analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të një furgoni rreth 88 pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Vihet në pranga drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të RSh-së, furgonin që drejtohej nga shtetasi K. A..
Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






