

TIRANË — Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i ka dërguar një përgjigje zyrtare Kryeministrisë ku konfirmon mospjesëmarrjen e tij në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama për të diskutuar mbi skemën e re të pagave të magjistratëve.
Përmes një letre drejtuar ekzekutivit, Sadushi e arsyeton këtë vendim me zhvillimet më të fundit institucionale, pasi ligji i ri i miratuar nga Kuvendi për pagat i është nënshtruar tashmë kontrollit të Gjykatës Kushtetuese pas padisë së dorëzuar nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur,” thekson Sadushi në përgjigjen e tij, duke shtuar se pjesëmarrja për të përsëritur qëndrimet publike nuk do t’i shërbejë debatit.
Sidoqoftë, kreu i Gjykatës së Lartë nëniçon se mbetet tërësisht i hapur për dialog ndërinstitucional, por për tema me dimension më të gjerë që prekin konsolidimin e sistemit dhe rritjen e cilësisë e shpejtësisë së dhënies së drejtësisë për qytetarët.
Refuzimi i Gjykatës së Lartë vjen në një moment përplasjeje institucionale mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë. Më 18 shtator, shumica parlamentare miratoi formulën e re me rritje prej 38% të pagës referuese ndaj asaj të Presidentit, por magjistratët e konsiderojnë këtë masë të pamjaftueshme dhe në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Kushtetueses, duke e dërguar aktin për shfuqizim.
Përgjigjia e Kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, dërguar kryeministrisë më datë 26 shtator 2026
“Mirëmëngjes,
Në vijim të komunikimit tuaj të djeshëm për konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 28 shtator, dëshiroj të rikujtoj qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve.
Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur.
Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta.
Kjo nuk e mbyll hapësirën e dialogut institucional. Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar.
Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër.
Me konsideratë,
Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






