

TIRANË — Tradhtia mbetet një nga goditjet më të rënda për një lidhje bashkëshortore, ku sipas psikologëve dhe terapistëve të familjes, shërimi i emocioneve dhe rindërtimi i besimit kërkon nga një deri në dy vjet kohë. Përkundër besimit të hershëm se “kriza e vitit të shtatë” përbënte rrezikun më të madh për çiftet, të dhënat e reja nxjerrin në dritë një realitet tjetër.
Sipas një hulumtimi të kryer mbi ecurinë e marrëdhënieve, rreziku më i lartë për pabesi shfaqet shumë më herët, pikërisht gjatë vitit të tretë të martesës. Raporti tregon se deri në një e treta e personave që kanë tradhtuar e kanë nisur aferën jashtëmartesore pas tri viteve bashkëjetesë, ndërkohë që vetëm 10% e rasteve janë regjistruar gjatë vitit të shtatë.
Nga anketimi i zhvilluar me rreth 2 000 persona të martuar, 7% e të pyeturve pranuan se kanë tradhtuar brenda vitit të parë të martesës, ndërsa 5% gjatë vitit të dytë. Pas katër apo pesë vitesh martesë, kjo përqindje ngrihet në 12%, për të pësuar një ulje të lehtë në 11% gjatë vitit të gjashtë.
Lidhur me faktorët nxitës, pothuajse gjysma e pjesëmarrësve identifikuan rënien e intimitetit dhe largësinë emocionale si arsyen kryesore të pabesisë. Për një të katërtën e çifteve, lindja e fëmijëve dhe presionet e reja familjare ndryshuan rrënjësisht dinamikën e marrëdhënies, ndërsa 16% e të anketuarve e lidhën tradhtinë me konsumimin e lidhjes dhe kërkimin e emocioneve të reja.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






