

TIRANË — Gjatë periudhës 2017-2025, buxheti i shtetit ka disbursuar gjithsej 98 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard euro, për financimin e 12 kontratave koncesionare të formës Partneritet Publik-Privat (PPP). Pothuajse gjysma e kësaj shume u është alokuar projekteve që aktualisht ndodhen nën hetim zyrtar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas të dhënave financiare zyrtare, për gjashtë nga 12 kontratat e financuara nga paratë publike — duke përfshirë tre inceneratorët dhe tre koncesione në sektorin e shëndetësisë (sterilizimi, kontrolli mjekësor bazë "check-up" dhe rrjeti i laboratorëve) — janë ngritur akuza për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Për këto gjashtë kontrata problematike, shteti ka paguar rreth 440 milionë euro (44.4 miliardë lekë), çka përbën 44% të gjithë fondeve të alokuara për koncesionet përgjatë tetë viteve të fundit. Projektet e inceneratorëve absorbuan rreth 15 miliardë lekë, ndërsa koncesionet shëndetësore nën hetim përfituan rreth 29.6 miliardë lekë.
Pagesa më e lartë individuale nga buxheti i shtetit i është kaluar projektit të Rrugës së Arbrit me 22.6 miliardë lekë, e ndjekur nga koncesioni i sterilizimit me 14.8 miliardë lekë, ai i skanimit me 13.7 miliardë lekë dhe inceneratori i Tiranës me 8.4 miliardë lekë.
Pavarësisht kosto me peshë në buxhet, disa nga kontratat kryesore kanë dështuar të përmbushin objektivat financiare e teknike. Inceneratori i Elbasanit ka funksionuar vetëm për një periudhë të shkurtër, ai i Fierit nuk është vënë kurrë në punë pas ndërtimit, ndërsa në Tiranë impianti i djegies së mbetjeve nuk ka nisur ende nga ndërtimi, ndonëse pagesat nga buxheti kanë vijuar rregullisht.
Me përfundimin e afateve kontraktuale, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë ku disa kontrata mbyllen këtë vit, shteti ka nisur rimarrjen e drejtpërdrejtë të këtyre shërbimeve. Në fillim të vitit u krijua shoqëria aksionare shtetërore për menaxhimin e sterilizimit spitalor, duke kaluar kështu administrimin nga sektori privat te korporatat publike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






