

LUSHNJE — Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, ka pritur në një takim zyrtar në zyrën e saj reperin Kleviol Ahmeti, i njohur me emrin e artit "Cllevio", për të njoftuar organizimin e një aktiviteti muzikor në qytet.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale ku shfaqet krah artistit, kreu i bashkisë e ka vlerësuar atë si "këngëtarin e qytetit tonë" dhe ka zbuluar detajet e bashkëpunimit më të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, reperi ka marrë pobudën për të organizuar një koncert të madh gjatë muajit tetor, i cili do të jetë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe do të mirëpresë edhe emra të tjerë të njohur të skenës muzikore.
Kjo lëvizje vjen menjëherë pas polemikave të forta të zhvilluara në opinionin publik lidhur me një aktivitet të mbajtur së fundmi në Bibliotekën e Lushnjës, ku u recituan vargje që i dedikoheshin diktatorit Enver Hoxha.
Çështja nxit reagime nga përfaqësues të opozitës të cilët e cilësuan ngjarjen si glorifikim të regjimit komunist. Nga ana tjetër, drejtuesit e bashkisë dhe institucionit vendor sqaruan se sekuenca e publikuar me vargjet për diktatorin ishte shkëputur nga konteksti, pasi veprimtaria kishte në fokus pikërisht pasqyrimin e propagandës dhe persekutimit gjatë asaj periudhe historike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






