

TIRANË — Përballja sportive mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë në stadiumin “Air Albania” u shoqërua me mesazhe të forta politike dhe shoqërore nga shkallët e tribunave, ku tifozët shpalosën disa banderola me ndikim të madh publik.
Në një prej tribunave të stadiumit u vu re një pankartë e madhe me thirrjen “Arrestoni Ramën”, e shoqëruar me grafikën e një flamingoje, simbol ky që po përdoret gjerësisht gjatë protestave të fundit opozitare dhe qytetare në kryeqytet.
Përveç zhvillimeve politike vendase, vëmendje të veçantë mori edhe reagimi i tifozërisë ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, mbështetësit kuqezinj ngritën banerin me mbishkrimin e madh: “Prangat e përkohshme, historia e përjetshme”.
Vendimi i gjykatës ndërkombëtare ka nxitur reagime të shumta në të gjitha trevat shqiptare, ndërsa shkallët e stadiumit shërbyen sërish si një platformë për përcjelljen e mesazheve kombëtare.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






