Transmetuar më 26-09-2026, 20:17

UASHINGTON — Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të papritur këtë të shtunë, duke parashikuar se Uashingtoni dhe Havana do të arrijnë një marrëveshje dypalëshe dhe se opsioni i ndërhyrjes ushtarake nuk do të jetë i nevojshëm.

Gjatë një prononcimi për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë përpara nisjes së tij drejt Tenesit, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se synimi i administratës së tij mbetet hapja e ishullit karribian.

“Do të thoja se Kuba dhe ne do të bëjmë një marrëveshje. Nuk mendoj se do të na duhet ushtria. Ne duam ta ndihmojmë Kubën. Ne duam ta hapim Kubën për popullin tonë”, u shpreh Trump përpara gazetarëve.

Kjo deklaratë vjen pas një periudhe me tensione të larta gjeopolitike. Administrata amerikane ka deklaruar hapur synimin për ndryshimin e regjimit në Havana, ndërsa bllokada e naftës e vendosur nga SHBA-së në fillim të këtij viti e ka zhytur ishullin në një krize të thellë energjetike, të shoqëruar me mungesa të theksuara karburanti dhe ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.

Presioni mbi Kubën u rrit gjithashtu pas veprimeve ushtarake të SHBA-së në janar që çuan në rrëzimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, çka i hoqi Havanës aleatin kryesor ekonomik në rajon.

Ndryshimi i tonit nga Trump vjen vetëm pak ditë pasi ai e cilësoi Kubën si një "shtet të dështuar" gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku deklaroi se "liria do të vijë në kombin ishullor", fjalim ky që nxiti largimin e delegacionit kubanez nga salla.

Nga ana tjetër, reagimi nga Havana nuk ka vonuar. I pranishëm në OKB këtë të shtunë, ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, u shpreh se vendi i tij mbetet përherë i hapur për dialog dhe marrëdhënie tregtare me kompanitë amerikane, ndonëse dënoi ashpër embargon më shumë se 60-vjeçare që SHBA-të mbajnë ndaj ishullit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit