Transmetuar më 26-09-2026, 18:31

REÇ — Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në IEVP Reç, ku i dënuari Agron Llapushi i ka dhënë fund jetës brenda ambientit të vuajtjes së dënimit.

Sipas informacioneve paraprake nga grupi hetimor, 49-vjeçari, me origjinë nga fshati Çekin i Gramshit, është gjetur i varur me litar në ambientet e dusheve të burgut.

Agron Llapushi po vuante një dënim prej 24 vitesh e 4 muajsh burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, vendim ky që kishte marrë formë të prerë më 10 dhjetor 2015. Krimi i rëndë ndodhi menjëherë pas kthimit të tij nga emigrimi në Greqi, kur pas një konflikti për motive pronësie mbi një sipërfaqe toke në Gramsh, ai mbyti bashkëshorten e tij, Alketa Llapushi, e më pas u vetëdorëzua në polici ku pranoi autorësinë. Ndonëse Prokuroria pat kërkuar dënim me burgim të përjetshëm, gjykata e dënoi me 24 vite e 4 muaj.

Gjatë viteve të izolimit, i dënuari kishte përjetuar një braktisje të plotë familjare. Që prej vitit 2015, ai kishte realizuar vetëm dy takime me të afërmit, përkatësisht në vitin 2023 dhe në vitin 2025. Çifti kishte edhe një fëmijë.

Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve në kohën e krimit, Llapushi pretendonte se familja përballej me kushte të vështira ekonomike dhe se ai ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike. Megjithatë, ekspertiza psikiatriko-ligjore e kryer gjatë procesit gjyqësor kishte konkluduar se ai nuk vuante nga asnjë çrregullim i shëndetit mendor.

Autoritetet e burgut dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit