Transmetuar më 26-09-2026, 16:06

TIRANË – Rreth 197 tonë mish shpendësh nga Tajlanda kanë hyrë në Shqipëri përmes Kosovës, sipas të dhënave të referuara në raportimet për importet e këtij produkti.

Importi i mishit të pulës nga Tajlanda është lejuar në Shqipëri që prej vitit 2025, me kushtin që produktet të vijnë nga stabilimente të certifikuara për eksport në Bashkimin Europian.

Megjithatë, mënyra e hyrjes së këtij mishi në tregun shqiptar ngre pikëpyetje për gjurmueshmërinë e produkteve. Sipas të dhënave të bëra publike, e gjithë sasia prej rreth 197 tonësh ka mbërritur në Shqipëri përmes Kosovës, në formën e rieksportit.

Në qershor të këtij viti, Komisioni Europian kreu një auditim në Tajlandë për sistemin e kontrolleve zyrtare në sektorin e mishit të shpendëve. Raporti evidentoi disa mangësi në praktikat higjienike dhe në sistemin e kontrollit të produkteve të destinuara për eksport.

Sipas raportit, në disa prej stabilimenteve të kontrolluara u konstatuan raste kur karkasat me kontaminim fekal dërgoheshin për ripërpunim. Komisioni Europian vuri në dukje se mënyra e transferimit të tyre, në disa raste, krijonte rrezik për përhapjen e kontaminimit.

Raporti evidentoi gjithashtu probleme gjatë procesit të ripërpunimit, ku pjesë të dyshuara si të papërshtatshme hiqeshin dhe pjesa tjetër e mishit vlerësohej për përdorim.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga auditimi lidhet me gjurmueshmërinë dhe ndarjen e produkteve të destinuara për tregun europian nga ato që nuk plotësonin kushtet për këtë treg.

Në një rast të evidentuar nga audituesit, produkte të destinuara për eksport në BE rezultuan të prodhuara me mish të grirë të marrë nga një stabiliment që nuk ishte i autorizuar për eksport në Bashkimin Europian.

Gjetjet e Komisionit Europian lidhen me sistemin e kontrollit në Tajlandë dhe nuk nënkuptojnë se mishi i importuar në Shqipëri është i pasigurt.

Megjithatë, duke marrë në konsideratë mënyrën e importit përmes Kosovës dhe problematikat e evidentuara në auditim, autoritetet shqiptare duhet të verifikojnë origjinën, certifikimin, gjurmueshmërinë dhe kushtet e sigurisë së produkteve që hyjnë në tregun shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit