Transmetuar më 26-09-2026, 14:52

Eric Wendt, gjeneral-lejtnant në pension dhe ish-komandant i lartë i Forcave Speciale amerikane dhe NATO-s, ka mbërritur në Shqipëri për të marrë detyrën si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Wendt mbërriti në Shqipëri më 25 shtator. Ai pritet t’i dorëzojë letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht mandatin e tij diplomatik.

Ambasadori i ri amerikan ka një karrierë më shumë se 34-vjeçare në ushtrinë amerikane. Përgjatë shërbimit të tij, ai ka mbajtur poste të rëndësishme në Forcat Speciale të SHBA-së dhe në strukturat e NATO-s.

Një nga detyrat më të rëndësishme të Wendt ka qenë drejtimi i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s. Në strukturat që ai ka komanduar kanë shërbyer edhe forca shqiptare të operacioneve speciale.

Wendt ka pasur kontakt me Shqipërinë edhe gjatë angazhimit të tij në Afganistan, ku ka shërbyer në një pozicion të lartë komandues dhe ka punuar me trupa nga vende të ndryshme aleate, përfshirë edhe Shqipërinë.

Përveç karrierës ushtarake, Wendt ka mbajtur edhe detyra në Departamentin amerikan të Shtetit. Ai ka shërbyer si koordinator i sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, me bazë në Jerusalem.

Pas daljes në pension nga ushtria, ai është angazhuar edhe në fushën akademike, duke dhënë mësim në Naval Postgraduate School në Kaliforni.

Çfarë deklaroi për Shqipërinë?

Gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, Wendt foli për disa prej çështjeve që pritet të jenë pjesë e mandatit të tij në Shqipëri.

Ai përmendi forcimin e bashkëpunimit në NATO dhe në fushën e mbrojtjes, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Wendt u ndal edhe te siguria kibernetike dhe te mundësitë për investime amerikane në sektorë si energjia, infrastruktura dhe minierat.

Në seancën dëgjimore ai foli gjithashtu për SPAK-un, duke shprehur mbështetje për punën e institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Emërimi i Wendt në Tiranë sjell në krye të Ambasadës amerikane një diplomat me një profil të fortë ushtarak dhe përvojë të gjatë në NATO, operacionet speciale dhe sigurinë ndërkombëtare.

Për Shqipërinë, emërimi i tij ka një veçori të rëndësishme: Wendt ka punuar më herët me struktura ku kanë shërbyer edhe ushtarakë shqiptarë, ndaj marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes nuk janë një terren i panjohur për ambasadorin e ri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit