Transmetuar më 26-09-2026, 14:02

Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur gjatë një sulmi me armë ndaj një lokali në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë.

Ngjarja ndodhi kur persona ende të paidentifikuar, që lëviznin me një automjet, hapën zjarr në drejtim të lokalit. Sipas të dhënave paraprake, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan pa zbritur prej tij dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.

E mitura, e cila është vajza e pronarit të lokalit, Denis Luli, 30 vjeç, ndodhej brenda ambientit në momentin e sulmit. Në lokal ishin edhe rreth dhjetë klientë.

Pas sulmit, autorët dyshohet se dogjën automjetin me të cilin u larguan. Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të atentatit.

Një nga pistat që po hetohet lidhet me dyshimin se urdhri për sulmin mund të jetë dhënë nga burgu. Në këtë kuadër, mediat kanë raportuar për përfshirjen e mundshme të Klodian Lekocajt, një emër i njohur prej vitesh nga autoritetet greke për çështje të lidhura me krimin e organizuar.

Lekocaj, 49 vjeç, është cilësuar nga mediat greke si një prej figurave të lidhura me të ashtuquajturën “Mafia e Burgjeve”. Emri i tij është përmendur ndër vite në disa hetime dhe dosje kriminale, përfshirë akuza për urdhërimin ose organizimin e veprave të rënda penale.

Në një prej çështjeve të mëparshme, një person i arrestuar nga policia greke ka deklaruar se ishte urdhëruar nga Lekocaj për kryerjen e një vrasjeje, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në hetime të tjera që lidhen me grupe kriminale shqiptare dhe greke.

Lekocaj ka mohuar akuzat dhe ka kundërshtuar publikisht pretendimet se drejton një organizatë kriminale.

Për atentatin e fundit në Athinë, autoritetet greke ende nuk kanë bërë publike prova përfundimtare që konfirmojnë se urdhri është dhënë nga Lekocaj. Hetimet vijojnë për të përcaktuar se kush ishte objektivi i sulmit, cilët janë autorët dhe cili ka qenë motivi.

Në fokus të hetuesve është edhe lidhja e mundshme e ngjarjes me konflikte të mëparshme kriminale dhe trafikun e lëndëve narkotike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit