Transmetuar më 26-09-2026, 13:53

Plagosja e Gjenk Karabeg në Tiranë, arrestohet Samuel Tahiraj, në kërkim autori i dyshuar Sajmir Pasmaçiu

Konflikti në një lokal në rrugën “Hysni Gërbolli” përfundoi me një të plagosur, dy të arrestuar dhe një person në kërkim. Policia ka zbardhur emrat dhe dinamikën e ngjarjes

Policia e Tiranës ka zbardhur brenda 24 orëve rrethanat e plagosjes me armë zjarri të 33-vjeçarit nga Kosova, Gjenk Karabeg, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në rrugën “Hysni Gërbolli”.

Nga hetimet dyshohet se gjatë një konflikti në një lokal, Sajmir Pasmaçiu, 54 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri duke plagosur në këmbë Gjenk Karabeg dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Pasmaçiu është shpallur në kërkim për “Vrasje të mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “Prishje të qetësisë dhe rendit publik”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë gjahu, një thikë dhe municion luftarak.

Hetimet zbuluan se në konflikt ishte përfshirë edhe Samuel Tahiraj, 20 vjeç. Ai dyshohet se është konfliktuar me disa persona duke përdorur sende të forta, ndërsa nga përplasja ka mbetur i dëmtuar edhe një 18-vjeçar me inicialet A. P.

Samuel Tahiraj u arrestua në flagrancë për “Plagosje të lehtë me dashje”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Prishje të qetësisë dhe rendit publik”.

Ndërkohë, B. P., 49 vjeç, dhe një 18-vjeçar me inicialet S. P. janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se gjatë konfliktit kanë goditur me sende të forta Samuel Tahirajn. Në banesën e 49-vjeçarit policia gjeti dhe sekuestroi edhe disa fishekë.

Por zhvillimet nuk përfunduan me kaq. Gjatë verifikimeve rezultoi se vetë i plagosuri, Gjenk Karabeg, ishte person në kërkim nga autoritetet e Kosovës.

Karabeg është arrestuar me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e Sajmir Pasmaçiut. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit