

Over – reality

Nga Prof. Artan Fuga
Nevoja për edukim mediatik (media literacy) është aq urgjente në shoqërinë tonë sa edhe urgjenca që ka një person i sëmurë rëndë për t’i ardhur makina e urgjencës për t’i dhënë ndihmë të shpejtë, ndryshe po jep shpirt!
Kjo më është përforcuar dje edhe pardje duke dëgjuar informacione në tv nga mëngjesi në darkë dhe parë në ekrane, duke dëgjuar fjalë të ngjitura në fjali në biseda darke në studio në tv, raportime nga terreni, nga rrëmujëra ligjërimore ku lajmin e zëvendëson përjetimi emocional i gazetarit mbi lajmin!
Po eci shpejt:
E para: Në vend të realitetit, jepet interpretimi i krijuar artificialisht i realitetit, pra iluzioni i realitetit, realiteti selektiv, që quhet "over-reality".
Merren me fakte fluturake, të servirura, dhe harrojnë fakte të rëndësishme ose nuk qëmtojnë brenda të dhënash që i lënë në harresë! Merren me një realitet joreal!
Si ta them në vend të qumështit, po hamë qumështin e zënë kos! Dhe debatohet për kosin, ndërsa qumështi është futur në frigorifer, në ruajtje.
E dyta: Në vend të informacionin ofrohet përmbajtje që vjen nga marrëdhënie publike nga agjenci të specializuara dhe punonjësi i informacionit e ritransmeton këtë përmbajtje pa bërë dallimin midis asaj që di dhe asaj që kujton se di.
Hanë për informacion atë që institucionet ua paraqesin si të tillë! Dhe nuk iu bën syri tërrr!
Nuk mendon se midis tyre dallimi është po aq i madh sa edhe ai midis një gote me ujë dhe një uji në gotë ku është hedhur vetëm një pikë vajguri brenda…
E treta : Shoh me keqardhje dhe hidhërim edhe gazetarë dhe analistë që shohin me turp a me lavdërim të tjerët duke na raportuar të vërteta që do të dalin më vonë!!!
Të zësh kokën me duar: Kjo quhet "future actuality news". Ngrënësi i kohës televizive di atë që do të ndodhi, raporton të ardhmen! Tmerrrrrrrrrr!
E katërta : Televizione që rendin turravrap drejt "artificial agenda setting" të ofruar si i ofrohet një dhije një copë gur i lyer me pak kripë. Lëpijmë kripë nga mëngjesi në darkë dhe kënaqemi se po hamë djath. Sulet i biri ose e bija e botës drejt asaj që i ofrohet për t’i drejtuar atje vëmendjen, dhe pastaj, me qëllim ose nga budalliku, tërheq vëmendjen e publikut andej, duke e mashtruar! Shëmbull : Digjesh nga qumështi dhe për ta ftohur i fryn kosit!
Gabimisht kemi thënë se edukim mediatik iu duhet audiencave… Po, patjetër, se përndryshe i helmojnë nga mëngjesi në darkë, por iu duhet edhe atyre që dalin para audiencave, jo kur janë mëkatarë të qëllimshëm, por atyre që nuk kuptojnë se ç’bëjnë!
Thërrisni urgjencën se publiku po asfiksohet!
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






