

VARSHAVË — Qeveria e Polonisë ka propozuar financimin e plotë të infrastrukturës dhe një pagesë prej 15 mijë dollarësh në vit nga paratë e taksapaguesve polakë për çdo ushtar amerikan të dislokuar në territorin e saj. Masa propozohet ndërsa Varshava dhe Uashingtoni po zhvillojnë negociata intensive për krijimin e një baze të përhershme ushtarake të SHBA-së.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, bëri me dije se bisedimet me Pentagonin janë përqendruar te detajet e zbatimit të planit, duke përfshirë numrin e trupave, kapacitetet logjistike dhe vendndodhjet e mundshme strategjike.
Vendimi vjen pasi Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi më 17 shtator përparimin e arritur në bisedime, duke bërë të ditur se vendndodhja e bazës së re ushtarake mund të publikohet së shpejti. Aktalisht, Shtetet e Bashkuara mbajnë mijëra trupa në Poloni, të cilat kryesisht funksionojnë mbi bazë rotacioni.
Zyrtarët polakë theksojnë se kalimi nga prania me rotacion në një bazë të përhershme ushtarake do të forconte angazhimin e SHBA-së ndaj krahut lindor të NATO-s dhe do t’i dërgonte një mesazh të qartë parandalues Rusisë. Paralelisht, Polonia ka rritur ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes dhe ka thelluar bashkëpunimin ushtarak e teknologjik me Uashingtonin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






