

SHKODËR — Personi i arrestuar në orët e para të mëngjesit në Shkodër gjatë operacionit të koduar “Muri i Lartë” është shtetasi Bledar Çafi, i njohur edhe me mbiemrin Bokrri. 50-vjeçari u vu në pranga në banesën e tij nga Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Çafit masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal” si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Bledar Çafit përballet me organet e drejtësisë. Më 4 qershor 2020, ai u dënua nga Gjykata e Triestes në Itali me 4 vjet e 2 muaj burgim për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha. Më pas, në janar të vitit 2021, ai u arrestua në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj për llogari të drejtësisë italiane.
Çafi ka qenë gjithashtu në fokus të verifikimeve të pasurisë dhe aktiviteteve ekonomike nga struktura të posaçme të Policisë së Shtetit, ku përfshiheshin sipërmarrje në sektorin e shërbimit bar-kafe, peshkimit në lumin Buna si dhe tregtimit të produkteve ushqimore në qytetin e Shkodrës.
Arrestimi i tij i fundit u krye në kuadër të të njëjtit operacion ku u ushtruan kontrolle edhe për lokalizimin e shtetasit Indrit Dokle (Endrit Dokle), i cili vijon të jetë në kërkim që prej vitit 2024 për akuza të ngjashme të trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






