

DURRËS — Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje është arrestuar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh në Durrës, pasi tentoi t’i largohej patrullave me një automjet të vjedhur, duke shkaktuar aksidente me katër makina të tjera përgjatë arratisjes.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:00 në rrugën “Pavarësia”, kur efektivët e policisë konstatuan një automjet pa targa dhe me xhama të zinj që kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Sapo vuri re prezencën e policisë dhe mori shenjën e ndalimit, drejtuesi i mjetit rriti shpejtësinë për t’u larguar.
Gjatë ndjekjes, ai përplasi katër automjete të tjera duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe punonjësve të policisë. Më pas, 30-vjeçari e braktisi mjetin për t’u larguar me vrap, mirëpo u neutralizua dhe u kap në kohë nga shërbimet e rendit.
Verifikimet e mëtejshme konfirmuan se shtetasi me iniciale M. K. ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi automjetin me të cilin po udhëtonte e kishte vjedhur një ditë më parë në Tepelenë. Ndaj tij janë ngritur akuzat për vjedhje, mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






