Transmetuar më 26-09-2026, 09:36

TIRANË — Kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet mbrëmjen e sotme me përfaqësuesen e Bjellorusisë, në një sfidë që do të startojë në orën 20:45. Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv ndërkombëtar, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Për shkak të fluksit të madh të tifozëve, autoritetet kanë njoftuar se nga ora 17:00 e ditës së sotme e deri në përfundim të takimit do të aplikohen kufizime dhe bllokime të qarkullimit të automjeteve në disa prej akseve kryesore pranë impiantit sportiv.

Akset rrugore ku do të kufizohet lëvizja përfshijnë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ura e ish-Hotel Dajtit, rrugën “Papa Gjon Pali II” te kryqëzimi i RTSH-së, si dhe rrugët “Dervish Hima” e “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së. Po ashtu, kufizime do të ketë në rrugën “Themistokli Gërmenji”, rrugën “Ismail Qemali” te kryqëzimi i RTSH-së, rrugën “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës ku do të lejohen vetëm mjetet e autorizuara nga FSHF-ja, si dhe rrugën “Abdyl Frashëri” pranë Librit Universitar. Ndërkohë, pranë Sheshit “Willson” lëvizja do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes. Rruga e Elbasanit, Unaza dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e mjeteve.

Policia bën me dije se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme përpara hyrjes në portat e stadiumit, të cilat do të hapen që prej orës 18:30. Në ambientet e brendshme do të ndalohet rreptësisht futja e banderolave me përmbajtje raciste, lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, produkteve kozmetike dhe çdo mejeti tjetër të fortë apo të rrezikshëm. Qindra punonjës policie do të jenë të angazhuar në terren për të siguruar mbarëvajtjen e plotë të ndeshjes.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Bjellorusisë, që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 26.09.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (koridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit