

BERLIN — Valë e fuqishme reagimesh ka përfshirë Gjermaninë ditën e sotme, ku mbyllja e shkollave dhe bojkotet studentore shënuan nisjen e më shumë se 100 protestave masive në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Berlinin, Hamburgun, Kielin dhe Frankfurtin, kundër rikthimit të mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Përplasja mes të rinjve dhe autoriteteve erdhi menjëherë pas miratimit të një kuadri të ri ligjor që synon rritjen urgjente të numrit të ushtarëve në radhët e forcave të armatosura gjermane. Ndonëse ligji parashikon fillimisht regjistrimin mbi baza vullnetare, ai i lë dorë të lirë Parlamentit që, në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë apo mungesës së vullnetarëve, të rikthejë menjëherë mobilizimin me detyrim.
Sipas rregullave të reja, çdo i ri që mbush moshën 18-vjeçare do të marrë një pyetësor zyrtar për të deklaruar interesin ndaj ushtrisë. Ndërkohë, për meshkujt është vendosur me detyrim edhe ekzaminimi mjekësor për të vlerësuar përshtatshmërinë fizike. Revoltën e të rinjve e ka nxitur edhe më tej fakti se shumë prej tyre kanë marrë fletëthirrje për vizita mjekësore, përkundër faktit se kishin deklaruar paraprakisht se nuk dëshirojnë t’i bashkohen ushtrisë.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u pezullua në vitin 2011, por pushtimi rus i Ukrainës detyroi Berlinin të rishikojë tërësisht mbrojtjen kombëtare. Qeveria gjermane synon që nga 186 mijë ushtarë që ka aktualisht Bundeswehr-i, ta çojë këtë numër në 260 mijë brenda fillimit të dekadës së ardhshme, së bashku me një forcë prej 200 mijë rezervistësh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






