

MADRID — Legjenda e futbollit botëror, Roberto Carlos, ka tronditur opinionin publik me një rrëfim të rrallë mbi anën e errët të suksesit dhe parave, duke zbuluar se si humbi pothuajse të gjithë pasurinë e tij të fituar gjatë karrierës brenda vetëm 24 orëve.
Pavarësisht viteve të lavdishme me fanellën e Real Madridit dhe kombëtares braziliane, ku fitoi çdo trofe të mundshëm e vendosi pasuri marramendëse, ish-mbrojtësi i krahut të majtë u përball me një makth të vërtetë financiar jashtë fushave të blerta. Përplasja me një ish-agjent të tij, e ndërthurur me një krizë të rëndë familjare, e çoi atë buzë greminës ekonomike.
I pyetur mbi këtë periudhë dramatike të jetës së tij, Roberto Carlos u shpreh: “Pata një problem serioz me një ish-agjentin tim, shoqëruar me një telash shumë të madh familjar. Të enjten shkova në shtrat në mesnatë, ndërsa të premten në mëngjes u zgjova përballë një pirgu me letra, ekzistencën e të cilave nuk e dija. Aty humba çdo kontroll mbi historinë time, mbi gjithçka që kisha ndërtuar në futboll. Brenda një dite humba 99% të gjithçkaje që kisha fituar. Më pas, fatmirësisht, ia dola të ristrukturoja situatën time financiare dhe atë familjare.”
Rënia e befasishme kërkoi vendime drastike dhe forcë karakteri për t’u përballur me malin e detyrimeve ligjore e financiare që i dolën përpara. Megjithatë, siç konfirmon edhe vetë kampioni brazilian, pas një pune të gjatë ristrukturimi, ai arriti të rirestauronte ekuilibrat e tij financiarë dhe të rikthente qetësinë në jetën familjare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






