Transmetuar më 25-09-2026, 22:23

WASHINGTON — Ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr hapa përgatitorë dhe po shqyrton opsionet për një operacion të mundshëm ushtarak në Kubë, i cili përfshin dislokimin e njësive të specializuara mjekësore, logjistike dhe të policisë ushtarake nën varësinë e Komandës Jugore të SHBA-së.

Sipas dokumenteve të brendshme të ushtrisë amerikane dhe konfirmimeve nga zyrtarë të lartë, Rezerva e Ushtrisë po vlerëson disponueshmërinë e forcave që mund të vihen në lëvizje brenda një afati nga 90 deri në 120 ditë. Kërkesa mbulon gjashtë lloje njësish strategjike, përfshirë ato të transportit, karburantit, mirëmbajtjes, një batalion xhenierësh, si dhe një brigadë mjekësore për ndërhyrje emergjente kirurgjikale dhe një brigadë të Policisë Ushtarake për detyra sigurie e paraburgimi.

Lidhur me këto lëvizje taktike, një zëdhënës i Komandës Jugore deklaroi: “Komanda vlerëson vazhdimisht nevojat ushtarake brenda zonës së saj të përgjegjësisë”, duke refuzuar të japë detaje mbi afatet apo operacionet e mundshme për arsye të sigurisë kombëtare, citon Euronews.

Zhvillimet vijnë në një moment piku krizash gjeopolitike mes Uashingtonit dhe Havanës. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi paralajmërime të fortë ndaj regjimit ishullor, duke deklaruar publikisht se Kuba “është një shtet i dështuar” dhe se “do të bjerë”.

Nga ana tjetër, reagimi i qeverisë kubaneze ka qenë i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, hodhi poshtë çdo skenar për përmbysjen e pushtetit apo një ndërhyrje ushtarake, duke u shprehur: “Qeveria amerikane nuk do të jetë kurrë në gjendje të gjejë justifikim ose çfarëdo arsye për të nisur një sulm ushtarak kundër një vendi të vogël fqinj që në asnjë mënyrë nuk përbën kërcënim për sigurinë e tij kombëtare.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit