Transmetuar më 25-09-2026, 17:02

NJU JORK – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar ndaj tij në Nju Jork, ku disa persona e kanë kundërshtuar gjatë një aktiviteti dhe kanë tentuar ta godasin me vezë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se protestat dhe sulmet me vezë nuk do ta ndalin në atë që ai e cilëson si misionin e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama kritikoi personat që protestuan dhe i akuzoi se përdorin flamurin kombëtar në mënyrë të papërshtatshme.

“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”, shkroi kryeministri.

Duke iu referuar protestuesve, Rama tha se nuk do të ndalet nga përdorimi i vezëve, baltës apo kritikave ndaj tij.

“Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe”, deklaroi ai.

Një pjesë të reagimit Rama ia kushtoi edhe akuzave për korrupsion. Ai tha se Shqipëria ka ndryshuar dhe se institucionet po luftojnë korrupsionin.

Sipas tij, kritikat dhe akuzat për korrupsion nuk do ta pengojnë procesin që ai pretendon se po zhvillohet në vend.

“Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë”, shkroi Rama.

Kryeministri i cilësoi protestuesit me terma ironizues dhe akuzoi kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë se po përdorin protestat dhe akuzat për korrupsion kundër tij.

Protesta në Nju Jork u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Ramës gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara.

Postimi i Ramës

Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës.

Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!

Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:

Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!

Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit