

Mbledhje qeverie jashtë radhe, Koçiu nxjerr VKM që e shpall Vunoin Pasuri Kulturore të Paluajtshme
Tiranë – Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mungesë të tij, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka zhvilluar mbledhje qeverie jashtë radhe (thuajse gjithnjë zhvillohen të mërkurave). Në këtë mbledhje, është shpallur fshati Vuno, Pasuri Kulturore e Paluajtshme “Qendër Historike”.
VKM shpall përcaktimin e zonës mbrojtëse dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin për fshatin Vuno, ku Edi Rama siç ka pohuar më herët, ka një pasuri të paluajtshme prej mëse 22 hektarësh. V E N D I M PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME “QENDËR HISTORIKE” TË FSHATIT VUNO, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Qendër historike” të fshatit Vuno dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e “Qendrës historike” të fshatit Vuno dhe të zonës mbrojtëse të saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Vendimi nr.30, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Vuno dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj të zonës së mbrojtur përreth”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Qendrës historike” të fshatit Vuno dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kadastrën.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi ZËVENDËSKRYEMINISTRI ALBANA KOÇIU Çfarë thoshte Rama më 2023 për pronat në Vuno
Në vitin 2023 Rama u përball me akuza të forta nga opozita e cila denoncoi se ai përlau mbi 22 hektarë tokë në Vuno, një fshat bregdetar në jug të vendit.
Rama reagoi atëherë duke treguar versionin e tij mbi procesin që tha se kishte nisur në 2003 për tokën 22. 4 ha pyll dhe kullota në fshatin Vuno të Bashkisë Himarë.
Duke u ndalur në atë që e cilësoi "historia e pronave të familjes së nënës time në fshatin Vuno të Himarës", Rama tha:
"Më 12.05.2003 me kërkesë të Edrin dhe Eno Kolekës si trashegimtarë (me prokurë të posaçme) të Petro dhe Spiro Kolekës, Gjykata e Vlorës njeh pronësinë e Petro dhe Spiro Kolekes mbi 22.4 ha pyll dhe kullota në fshatin Vuno, të Bashkisë Himarë.
• Më 06.05.2016 me hyrjen në fuqi të ligjit 133/2015 që u shqyrtua deri në Strasburg, Edrin Koleka paraqet kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP) për njohjen dhe kthimin e pronës në kufijtë ekzistues, sepse është sipërfaqe e lirë (pra në kohën kur unë isha në krye të qeverisë dhe në krye të agjencisë ishte një drejtues i emëruar nga qeveria ime, me firmën time).
• Me vendimin nr.504, dt.30.03.2017, ATP-ja e rrëzon kërkesën e Edrin Kolekës dhe e argumenton kundërshtinë mbi bazën e VKM nr. 222 date 23.03. 2016 “ Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës dhe kompensimin e saj “ (e cila mban firmën time, e jo që nuk i favorizon, siç bërtasin kllounët e ekstremizmit grek në Athinë dhe të paudhët pa atdhe të ujrave e të listave të zeza të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, po përkundrazi, i pengon drejtëpërdrejtë të 11 trashëgimtarët e familjes Koleka të përfitojnë pronën e gjyshërve të tyre).
• Dokumentacioni konsiderohet jo i plotë, jo vetëm në bazë të VKM-së së mësipërme, po edhe sipas ligjit nr.133/2015 për “ Trajtimin e pronës dhe përfundimim e procesit të kompensimit të pronave“. (E thënë ndryshe, ky ligj i kaluar me propozimin e qeverisë sime të mandatit të parë dhe me votat e shumicës socialiste, nuk e njeh vendimin e gjykatës si dokument origjine).
• Edrin Koleka e ankimon këtë vendim të ATP-së në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe kjo gjykatë me vendimin nr.40 datë.19.03.2019 e bën nul vendimin nr.504 date 30.03.2017 të ATP-së, duke njohur kompensimin fizik në kufijtë e pronës së Petro dhe Spiro Kolekës, për një sipërfaqe 22.4 ha pyje dhe kullotë në Vuno, Qarku Vlorë.
Por odiseja e trashëgimtarëve të kësaj prone, ku përfshihem edhe unë vetë (pavarësisht se e kam bërë me dije në familje qysh në kohëra tanimë të vjetra, kur isha thjesht “një piktor me thonj të paprerë që flija nën urat e Parisit” siç më quanin politikanët e Tiranës në librat e sharjeve të tyre, se nuk kam asnjë interes të bëhem pronar i asgjëje të trashëguar, përveç studios së tim eti) nuk mbyllet me kaq.
• Agjencia e Trajtimit të Pronave, me shkresën nr.6175/1 datë 26.06.2019, ushtron rekurs kundër trashëgimtarëve të familjes Koleka në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit nr.40 datë 19.03.2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
• Si përfundim sot e kësaj dite nuk ka ende një datë gjyqi në Gjykatën e Lartë për trajtimin e kësaj çështje, nga e cila një ndër përfituesit potencialë është edhe im vëlla, ashtu siç nuk ka në kadastër sot e gjithë ditën asnjë pronë të regjistruar në emër të trashëgimtarëve Petro dhe Spiro Kolekës.
Foto: Hartat e publikuara nga Rama

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






