Transmetuar më 25-09-2026, 14:29

TIRANË – Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka drejtuar një kërkesë SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të mundësuar pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit, e planifikuar për 29 shtator, në orën 15:00.

Në shkresën drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak kërkon që Veliaj të pajiset me një leje të përkohshme për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje. Në rast se kjo nuk do të jetë e mundur për shkak të masave kufizuese që zbatohen ndaj tij, kërkohet që pjesëmarrja të realizohet përmes videokonferencës ose një forme tjetër komunikimi të miratuar nga autoritetet.

Kërkesa lidhet me rendin e ditës së mbledhjes, ku ndër çështjet që pritet të shqyrtohen është edhe projektligji për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Sipas Këshillit Bashkiak, për këtë çështje kërkohet një qëndrim zyrtar si nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe nga Këshilli Bashkiak. Në shkresë argumentohet gjithashtu se pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë është e lidhur me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale, përfshirë prezantimin e projektvendimeve, buxhetit, raportimeve dhe çështjeve që lidhen me administrimin e bashkisë.

Këshilli Bashkiak u ka kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që ta informojnë me shkrim për vendimmarrjen lidhur me kërkesën.

Çështja penale ndaj Veliajt

Erion Veliaj ndodhet nën masë kufizuese në kuadër të procedimit penal të hetuar nga Prokuroria e Posaçme. Sipas SPAK-ut, hetimet paraprake kanë përfunduar dhe çështja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Sipas akuzës së SPAK-ut, ndaj Veliajt rëndojnë 13 akuza, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, 12 akuza. Prokuroria pretendon se në disa episode të hetuara, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

SPAK pretendon gjithashtu se këto përfitime kanë qenë të lidhura me subjekte që, sipas hetimit, kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Këto janë pretendime të organit të akuzës dhe do të shqyrtohen nga gjykata. Përgjegjësia penale e të pandehurve nuk konsiderohet e provuar përfundimisht deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kërkesa e plotë:

Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

• lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike, Ose, nëse kjo nuk është e mundur,

• mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit