Transmetuar më 25-09-2026, 13:50

Sherri nisi në TikTok/ Parandalohet përshkallëzimi i përplasjes mes dhjetëra të miturve në Tiranë. 23 të proceduar

TIRANË — Një debat i nisur në rrjetin social TikTok mes dy të miturve ka rrezikuar të përshkallëzojë në një përplasje masive fizike në zonën e Yzberishtit në kryeqytet.

Përplasja verbale online ka vijuar me organizimin e të rinjve në dy grupe me qëllim përballjen në terren për "t’u sqaruar". Në bisedat mes tyre në rrjete sociale janë përdorur mesazhe provokuese dhe sfiduese si “nuk do t’i lëmë të na bëjnë të fortin”, çka ka çuar në lënien e një takimi për përplasje në zonën ku banonin.

Ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve të Komisariatit Nr. 6 pas informacioneve të marra në rrugë operative ka parandaluar përshkallëzimin e ngjarjes. Policia ka ndaluar të miturit në rrugën “Besim Alla”, ku gjatë kontrollit fizik u ka gjetur dhe sekuestruar dy shkopinj bejsbolli që dyshohej se do të përdoreshin gjatë përplasjes.

Në përfundim të veprimeve procedurale, të cilat u kryen në prani të psikologut dhe prindërve:

U identifikuan dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 23 të mitur të moshave 13 deri në 17 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

Rasti ngre sërish shqetësimin mbi ndikimin e rrjeteve sociale në nxitjen e dhunës dhe përshkallëzimin e konflikteve virtuale në përplasje reale mes adoleshentëve.

Njoftimi

“Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit Nr. 6 parandalon një konflikt ndërmjet dhjetëra të miturve, në Yzberisht. Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt. Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli.

Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.

Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.

Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale. Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve.

Siguria e fëmijëve dhe të rinjve, prioritet absolut i Policisë së Shtetit”, shkruan Policia.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit