

TIRANË — Janë zbardhur debatet dhe diskutimet nga seanca me dyer të mbyllura në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj Fatjon Kalluçit, shefit të laboratorit të Policisë Shkencore, dhe Embro Sulejmanit, kryekamarierit të një lokali pranë vilave qeveritare në Durrës, i cili frekuentohej nga i shumëkërkuari i drejtësisë Ergys Agasi.
Gjatë fjalës së tij përpara togave të zeza, kryekamarieri Embro Sulejmani ka pranuar njohjen me Agasin, por ka mohuar kategorikisht kryerjen e ndonjë vepre penale apo përkrahje të autorit të krimit.
Lidhur me takimet dhe shërbimin në lokal, Sulejmani ka deklaruar:
“Ergys Agasin e njoh prej shumë vitesh, ka qenë klient i rregullt i lokalit ku punoj si kryekamarier. Jemi nga e njëjta zonë dhe kjo njohje ka qenë vite më parë se të shpallej në kërkim. Kam pasur kontakte që lidhen me punën. Vinte rezervonte tavolinën dhe kërkonte që t’i shërbeja unë, siç ndodh kudo, nuk mendoj se kam kryer ndonjë krim.”
Avokati mbrojtës i Sulejmanit pretendoi se masa e arrestit me burg apo arrestit në shtëpi është e papërshtatshme, me arsyetimin se punonjësit e shërbimit nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale për klientët që u shërbejnë.
Mbrojtja e krahasoi rastin e kamarierit edhe me masën e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke pretenduar se është e paarsyeshme që një zyrtare e lartë e akuzuar për dy vepra penale të hetohet në masë më të butë sigurie, ndërsa një kamarier që i ka shërbyer ushqim një klienti të mbetet në qeli.
Nga ana tjetër, i hetuari Fatjon Kalluçi nuk ka dhënë shpjegime të drejtpërdrejta gjatë seancës, duke ia kaluar të drejtën e fjalës mbrojtësit të tij ligjor, i cili gjithashtu kërkoi një masë më të lehtë sigurie. Ndërkohë, prokurorët e çështjes i përmendën gjatë seancës përfaqësuesve reagimet agresive ndaj gazetarëve në ambientet e gjykatës, duke i konsideruar ato si vijimësi të veprimeve për të cilat personat nën hetim dyshohen zyrtarisht.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






