

Një telefonatë në 112 vuri në lëvizje policinë italiane. Efektivët u drejtuan më pas në një apartament në via Gulli, ku gjetën trupin e një burri ende të paidentifikuar
Torino – Një ngjarje e rëndë është zbuluar gjatë natës mes së enjtes 24 dhe së premtes 25 shtator në Torino, ku trupi i një burri është gjetur i copëtuar dhe i fshehur në disa thasë të mëdhenj të zinj, brenda banjës së një apartamenti në lagjen Madonna di Campagna.
Pranë trupit, në një kovë, policia ka gjetur edhe disa thika. Për rastin po heton Skuadra e Krimeve të Rënda, ndërsa çështja po trajtohet si vrasje.
Alarmi është dhënë rreth orës 23:00, kur një grua telefonoi numrin e emergjencës 112 dhe, sipas të dhënave të para, tha: “Djali im i ka bërë keq një personi”.
Patrullat e policisë shkuan menjëherë në banesën e saj, ku ndodhej edhe djali, një i ri rreth 20 vjeç. Sipas raportimeve, nëna dhe djali u treguan efektivëve vendin ku ndodhej trupi, jo në shtëpinë e tyre, por në një apartament tjetër në via Gulli, në anën tjetër të qytetit.
Kur mbërritën në apartament, policët konstatuan një erë të fortë dhe më pas gjetën mbetjet njerëzore të fshehura në thasë të zinj në banjë.
Viktima është një burrë, por identiteti dhe kombësia e tij ende nuk janë bërë të ditura. Nga të dhënat e para, ai nuk rezulton të ketë qenë banor i apartamentit ku u gjet.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






